Shtrenjtohen çmimet e perimeve në tregun e Ulpianës

Me ardhjen e vjeshtës, në kryeqytet janë shtrenjtuar dukshëm perimet. Tregtarët në tregun e Ulpianës thonë se krahasuar me muajt e kaluar, çmimet e perimeve janë rritur për 15-20 për qind.

Sipas tyre, rritje ka pasur sidomos tek disa perime, si tek specat, domatet dhe trangujt.

“Nuk mund të themi se ka pasur rritje shumë të madhe por për diku 15-20% janë rritur çmimet e specave, domateve dhe trangujve”, tha njëri nga tregarët në tregun e Ulpianës, në kushte anonimiteti.

Reklama e sponzorizuar

Saktësisht në muajt e kaluar çmimi i specave ka qenë diku 70 centë për kilogram, ndërkaq aktualisht çmimi ka arritur në 1 euro. Krahas kësaj edhe çmimi i domatëve ka shënuar rritje nga 50 centë për kilogram në 70 centë.

E njëjta ngritje e çmimeve vërehet edhe tek trangujt, nga 40 në 50 centë.

Ndërkaq, ulje të çmimeve ka pasur tek produktet sezonale.

Sipas tregtarëve, tek patatet dhe spinaqi ka pasur ulje të çmimeve krahasuar me muajt e kaluar. 1 kilogram spinaq më herët ka kushtuar 2.50 euro, ndërkaq sot ka rënë në 1 euro. Zbritje ka edhe te patatet për 10 centë, pra ka rënë në 40 centë kilogrami, krahasuar me 50 centë sa ka qenë më herët. /Blendrita Avdiu/