Kosova i trajton keq peshqit

Kosova qëndron shumë keq sa i përket ruajtjes së peshqve. Nuk ka inspektime, mungon një databazë mbi llojet e peshqve në lumenjtë e Kosovës, si dhe mungon mbështetja financiare për sektorin e peshkimit.

Këto gjetje dalin nga raporti i progresit (2020) i Bashkimit Evropian për vitin 2020.

Në këtë raport thuhet se Kosova është ende në një fazë të hershme të përgatitjes në sektorin e peshkimit dhe asnjë progres nuk është bërë për periudhën raportuese. Kosova duhet ta përafrojë politikën e saj të peshkimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian si dhe të krijojë një databazë për të gjitha llojet e peshqve që ekzistojnë nëpër lumenj.

Reklama e sponzorizuar

“Meqenëse asnjë nga rekomandimet e raporteve të fundit nuk është implementuar, për vitin e ardhshëm, Kosova në veçanti duhet ta përafrojë politikën e saj të peshkimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian si dhe të krijojë një databazë për të gjitha llojet e peshkut”, thuhet në raport.

Meqë Kosova nuk ka vijë bregdetare, legjislacioni për vendosjen e kuotave të nxënies së peshkut, inspektimit dhe kontrollit është me zbatueshmëri të kufizuar. Mirëpo edhe pse Ministria e Bujqësisë jep subvencione për prodhuesit e regjistruar të peshkut, këto janë të kufizuara dhe nuk pasqyrojnë as potencialin për vende pune dhe eksporte dhe as vlerën e tregut të sektorit.

Ndryshe, politika e përbashkët e Bashkimit Evropian mbi peshkimin përcakton rregullat për menaxhimin e sektorit të peshkimit, mbron gjallesat e detit dhe kufizon ndikimin mjedisor në këtë sektor. Kjo përfshin edhe vendosjen e kuotave për zënien e peshkut, menaxhimin e kapacitetit të flotës, rregullat për tregjet dhe akuakulturën dhe mbështetjen për sektorin e peshkimit dhe komunitetet bregdetare. /Buletini Ekonomik/ /Blendrita Avdiu/