Vaksina mund të jetë e gatshme “në tremujorin e dytë të vitit 2021”

Helen Rees, hulumtuese në mjekësi, është optimiste se vaksina kundër koronavirusit do të jetë e disponueshme në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Rees, e cila bën pjesë në Grupin Këshillimor të OBSH-së për vaksinën kundër COVID-19, pret që vaksina të jetë efektive së paku 50 për qind dhe thekson rëndësinë e shpërndarjes së saj në të gjithë botën.

“Nëse keni 60-70 për qind të popullsisë të pavaksinuar, ju vazhdoni të jeni të cenueshëm dhe të keni njerëz të infektuar”, thotë Rees në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Reklama e sponzorizuar

“Çuditërisht, në njëfarë mënyre, jemi shumë afër, marrë parasysh se duhen vite për të zhvilluar vaksinë. Por, a do të dëshironim të ishim më afër? Normalisht. Ne mund t’i kemi disa vaksina të disponueshme këtë vit – por një numër të vogël të tyre dhe jo të disponueshme globalisht. Shumica prej nesh parashikojnë që nëse kemi vaksinë të suksesshme, ajo të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021”, tha ajo.

Ajo shtoi se janë duke u testuar tri faza të ndryshme.

“Është e nevojshme. Ne jemi duke mësuar shumë teksa e bëjmë këtë në një mënyrë të konsoliduar. Tri fazat e ndryshme të testimit të vaksinës janë duke u zhvilluar bashkërisht. Kjo e shkurton kohën me vite. Por, një gjë që kërkon më shumë kohë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme është faza tre e testimit, që zhvillohet në mijëra njerëz dhe tregon nëse vaksina funksionon dhe është e sigurt. Kjo fazë nuk mund të shkurtohet. Aktualisht, në proces janë nëntë testime të tilla për vaksina të ndryshme. Dhe, kjo fazë e testimit duhet të kompletohet”, tha ajo.