MEA mban “sekret” Planin për furnizim me energji në pjesën veriore

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit po e mban “sekret” planin e veprimit për sigurimin e furnizimit me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë plan, detaje nuk ka dhënë as KOSTT-i, institucion ky që ka qenë pjesë e Grupit punues për hartimin e planit bashkë me KEDS/KESCO, MEA-n dhe USAID-in. Nga KOSTT-i kanë thënë për KOHËN se “plani parasheh furnizimin e sigurt për të gjithë konsumatorët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”.

Të dyja këto institucione nuk kanë dhënë detaje as për afatin se kur pritet të fillojë zbatimi i tij. “Zbatimi i tij pritet të fillojë në momentin e krijimit të kushteve për qasje fizike për KEDS/KESCO, nëse Elektrosever nuk aplikon për licencë të operimit si furnizues me energji elektrike tek ZRRE, konform kornizes ligjore dhe rregullative të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it. Ndërsa nga MEA kanë vlerësuar se nuk është momenti që të publikohet ky plan.

“Ne nuk vlerësojmë që për momentin është në interes të publikohen pjesë të këtij plani, pasi ende nuk është kryer cikli institucional i qarkullimit të dokumentit në instancat e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MEA-s. Nëse kjo çështje nuk zgjidhet nga institucionet e Kosovës, kostoja e shpenzimeve të energjisë në veri do të duhet të mbulohet nga KOSTT-i.

Reklama e sponzorizuar

Kjo, pasi që nga e marta e javës së kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja e re e kyçjes në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO), e në bazë të së cilës çdo devijim që bëhet nga ana e Kosovës apo tërheqje e paautorizuar e energjisë është përgjegjës KOSTT-i, respektivisht Kosova.

Për këtë çështje, Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Kurti kishte ndarë 10 milionë euro për KOSTT-in, në mënyrë që të mos bëheshin këto devijime, pasi në të kundërtën do të kishte penalizime. “Me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe operimit të KOSTT si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri, KOSTT-i do të jetë përgjegjës për balancimin e sistemit dhe me këtë devijimet ndaj interkoneksionit evropian duhet të ndalen”, kanë bërë të ditur në KOSTT.