Maqedonia e Veriut sot vendos rreth heqjes së kufizimeve me Kosovën

0
68

Qeveria e Maqedonisë së Veriut të martën do ta shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për hapjen e kufijve me shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, duke lejuar hyrjen pa test PCR. Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Të martën do ta sjellim edhe këtë vendim, bëhet fjalë për iniciativë rajonale, nuk është e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse rajoni është i vogël, ndërsa numrat përafërsisht janë të njëjtë”, ka thënë kryeministri Zaev. Ai ka thënë se vendimi do të marrë parasysh edhe nevojën për të pasur kujdes, por edhe nevojën që t’i hapet rrugë ekonomisë së vendit.

Ai ka thënë se për këtë iniciativë rajonale tashmë janë shprehur të hapura Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, ndërsa Shkupi pret përgjigje nga Bullgaria dhe Serbia. “Ne nuk dëshirojmë që të jemi të izoluar nga rajoni, në rast se rajoni është i hapur, atëherë duhet edhe ne, rajoni është i vogël, jemi të lidhur me rajonin edhe në aspektin shëndetësor, edhe në atë ekonomik”, ka thënë Zaev, raporton “Alsat-M”.

Reklama e sponzorizuar

Më herët, gjatë ditës së hënë, Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut ka propozuar të hapen kufijtë dhe të hiqen kufizimet për shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi. “Sipas analizave, nuk ka aktualisht indikacion, përkatësisht nuk ka numër të lartë të rasteve të importuara me COVID-19 në shtetet nga këto vende. Sipas kësaj, nuk ka rrezik të hapen kufijtë. Propozimi do t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.