Sigurohen mbi 160 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal

Në Kosovë janë siguruar rreth 160 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Aplikimi i kësaj vaksine pritet të bëhet gjatë këtij muaji. E në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitje për dhënien e kësaj vaksine, por që aktualisht janë në pritje të marrjes së dozave të para të vaksinës kundër gripit sezonal.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se për këtë sezon dimëror janë duke planifikuar shumëfishim të dozave të vaksinës kundër gripit.

“Një pjesë janë siguruar, diku janë 165 mijë të cilat tash do shpërndahen tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Por në këtë vit pretendojmë dhe do të mundësojmë që t’i kemi 500 mijë vaksina sigurisht edhe me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës është në vendim, duhet ta sigurojmë edhe koston buxhetore dhe është duke u bërë planifikimi i shpërndarjes nga të gjitha komunat, edhe nga QKMF-të janë marrë raportet. Por në një planifikim korrekt dhe serioz të kësaj çështje, pretendojmë të kemi një numër të konsiderueshëm të të vaksinuarve që do ta arrijë gjysmë milionë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Sami Uka, kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha për KosovaPress, se kërkesat për marrjen e kësaj vaksine janë të mëdha në komunën e Prishtinës.

Ai shton se presin që brenda “një apo dy jave të fillojë furnizimi me dozat e para të vaksinës”.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet për t’i pranuar ato dhe për t’i distribuuar ato sipas nevojës tek moshat më fragjile apo më të thyeshme të cilat janë me prioritet për t’u vaksinuar, që janë moshat mbi 65 vjeçe, të sëmurët me sëmundje kronike dhe shtatzënat. Prishtina vitin e kaluar diku ka administruar rreth 11 mijë doza dhe kështu edhe sivjet po planifikojmë minimum t’i kemi 11 deri 12 mijë doza që duhet t’i administrojmë por sasia që kërkohet është shumë më e madhe”, theksoi Uka.

Shpërndarja e vaksinave marrë parasysh situatën me COVID-19, do të bëhet në dy mënyra, thotë Uka, teksa shton se i nevojshëm është vaksinimi i të gjithë stafit mjekësor në QMF-të.

“Duke e marrë parasysh edhe COVID-in që ende po qarkullon mes nesh edhe pse me intensitet pak më të ulët, është e domosdoshme që të intervenohet sa më herët dhe mos të lihet sikurse vitin e kaluar që ka ndodhur deri në dhjetor, kemi marrë dozat e vaksinës. I kemi dy variante në dispozicion, atë që ta bëjmë administrimin e vaksinës në të gjitha qendrat apo edhe në qendra të caktuara, ose vetëm në Qendrën tonë këtu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare sikur që është viteve të kaluara. Por me një riorganizim të punës në mënyrë që të shmangen kontakti i afërt i pacientëve me pacientët e tjerë, por njëkohësisht të sigurohet edhe administrimi sa më i shpejt i tyre”, deklaroi kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë.

Sipas infektologut Valbon Krasniqi në kohën kur po përballemi me pandeminë, nevoja për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal në kohën e duhur është edhe më e madhe, pasi që të dy viruset ngacmojnë rrugët e frymëmarrjes.

“Këta dy virus janë të ndarë të dytë i sulmojnë rrugët respiratorë, megjithatë vaksina kundër gripit sezonal nuk është e paraparë për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19, prandaj koha optimale është koha që përmendim më herët dhe ne presim që krahas planifikimeve të rregullta të filloj ky vaksinim me kohë“, tha Krasniqi.

Në bazë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16 mijë raste të regjistruara me grip sezonal.