Nesër në Tiranë mblidhen qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen nesër në Tiranë. Është paraparë që të nënshkruhen 15 marrëveshje mes dy shteteve.

Nesër në Tiranë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Pjesë e diskutimit pritet të jetë edhe projekti hekurudhor Prishtinë-Durrës.

Reklama e sponzorizuar

Në këtë mbledhje pritet të nënshkruhen 15 marrëveshje e ndër të tjera, edhe një deklaratë e përbashkët e dy kryeministrave të cilët rekomandojnë Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve që arrihen në mes dy vendeve.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, në një konferencë për mediat dy ditë më parë, ka folur për marrëveshjet që do të nënshkruhen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kemi miratuar 15 marrëveshje që do t’i nënshkruajmë në mbledhjen e përbashkët këtë të premte, sepse e thellojnë raportin me Shqipërinë . Kemi marrë një vendim për themelimin e zyrës në Luginë e që do të jetë në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat e tyre në fushën e arsimit, në mbështetje dhe ruajtje të kulturës në atë pjesë”.

Kurse, ambasadori i Kosovës për Shqipëri, Nait Hasani, lidhur me marrëveshjet e reja që pritet të nënshkruhen në takimin e nesërm të të dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se janë vazhdimësi e mbledhjeve që mbahen për çdo vit.

“Kështu që mbledhja e së premtes është vazhdimësi e mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo është një mbledhje e rëndësishme, duke marrë parasysh rrethanat që po kalon vendi në kohë pandemie. Në kohën e pandemisë kemi pasur një izolim total mes Kosovës dhe Shqipërisë, që është ndoshta një nga dëmet më të mëdha që mund t’u ketë ndodhur qytetarëve në mes vete, prandaj, në mesin e marrëveshjeve që do të nënshkruhen tani është edhe një marrëveshje për Covid-19 që do ta nënshkruajnë ministrat e shëndetësisë.”

Një nga marrëveshjet që është paralajmëruar se mund të nënshkruhet, është linja hekurudhore Prizren-Durrës. Ndërtimi i kësaj linje është edhe pikë e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike Kosovë-Serbi, nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

“Transporti i mallrave dhe shërbimeve është më i sigurt edhe për shkak të dëmtimeve të rrugëve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kështu që, Porti i Durrësit i lidhur përmes hekurudhës në Prizren-Prishtinë dhe vende të tjera është i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës së pari por edhe për vendet e tjera.”

Që nga viti 2014, kur kanë filluar të mbahen mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ndërmjet dy vendeve. Por, ka ngecje të theksuara në zbatimin e tyre.

Mbledhja e fundit e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, është mbajtur në nëntor të 2018-s në Pejë, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh.

Kosova dhe Shqipëria kanë filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive më 11 janar të vitit 2014.

Mbledhja e parë u mbajt në qytetin e Prizrenit, dhe dy kryeministrat në atë kohë Hashim Thaçi, dhe Edi Rama, e cilësuan takimin historik.

Lista e marrëveshjeve dhe memorandumeve

  1. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
  2. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
  3. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
  4. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
  5. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
  6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
  7. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
  8. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
  9. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
  10. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
  11. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës ;
  12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
  13. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
  14. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave./Monitor.al/