Dosjet FinCEN zbulojnë se si një mik i ngushtë i Putinit pastroi miliona dollarë përmes bankës Barclay

Një nga miqtë më të ngushtë të Vladimir Putinit mund të ketë përdorur Barclays Bank në Londër për të pastruar para dhe për të shmangur sanksionet, sugjerojnë dokumentet e rrjedhura.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për miliarderin Arkady Rotenberg, i cili thuhet se e ka njohur presidentin rus që nga fëmijëria.

Kufizimet financiare, ose sanksionet, u vendosën ndaj Rotenberg nga SHBA dhe BE në vitin 2014, që do të thotë se bankat perëndimore mund të përballen me pasoja serioze nëse kanë bërë biznes me të.

Reklama e sponzorizuar

Por Barclays thotë se përmbushi të gjitha detyrat ligjore dhe rregullatore, shkruan më tej BBC.

Një rrjedhje e dosjeve konfidenciale – “raportet e dyshimta të veprimtarisë” së bankave – zbulojnë se si kompanitë që besohet të kontrollohen nga z. Rotenberg mbanin llogaritë sekrete.

Dokumentet, të njohura si Dosjet FinCEN, janë parë nga programi Panorama i BBC.

Rrethi i brendshëm

Në mars të vitit 2014, SHBA goditi Rusinë me sanksione ekonomike pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë.

Departamenti i Thesarit e konsideroi z. Rotenberg, 68, dhe vëllain e tij Boris, 63, “anëtarë të rrethit të ngushtë të udhëheqjes ruse”.

Dyshja ishin mësuar dhe stërvitur në të njëjtën palestër xhudoje sikurse Putini, kur ishin të rinj.

Në vitet e fundit, kompanitë e Arkady Rotenberg ndërtuan rrugë, një tubacion gazi dhe një stacion elektrik përmes kontratave të dhëna nga shteti rus.

Thesari i SHBA-së tha se vëllezërit “ofruan mbështetje për projektet e përkëdhelura të Putinit” dhe “bënë miliarda dollarë kontrata për Gazprom dhe Lojërat Olimpike Dimërore të Soçit dhënë atyre nga Putini”.

Ndërkohë, në vitin 2018, SHBA shtoi djalin e Arkady Rotenberg, Igor në listën e saj të individëve të sanksionuar, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Qëllimi i sanksioneve është që të shkëputen personat me emër nga i gjithë sistemi financiar perëndimor.

Megjithatë Rotenbergs duket se kanë qarkullimin lëvizjen e parave në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Arti dhe pastrimi i parave

Në vitin 2008, Barclays hapi një llogari për një kompani të quajtur Advantage Alliance.

Dokumentet e zbuluara tregojnë se kompania qarkulloi 60 milionë funte midis 2012 dhe 2016. Shumë nga transaksionet ndodhën pasi ishin sanksionuar vëllezërit Rotenberg.

Në korrik të këtij viti, një hetim nga Senati i SHBA-së akuzoi Rotenbergs për përdorimin e blerjeve sekrete të artit të shtrenjtë për të shmangur sanksionet – një nga kompanitë e përfshira në skemë ishte Advantage Alliance.

Hetuesit amerikanë arritën në përfundimin se kishte prova të forta se Advantage Alliance ishte në pronësi të Arkady Rotenberg dhe se kompania kishte përdorur llogarinë e saj në Barclays në Londër për të blerë miliona dollarë arti për të.

Një raport shënoi se si “fshehtësia, anonimati dhe mungesa e rregullimit krijojnë një mjedis të pjekur për pastrimin e parave dhe shmangien e sanksioneve”.

Shtëpitë e ankandit në SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar nuk arritën “të bëjnë pyetje themelore në lidhje me blerësit e artit”.

Pavarësisht sanksioneve, Arkady duket se ka paguar 7.5 milionë dollarë për të blerë pikturën e René Magritte, La Poitrine.

Më 17 qershor të vitit 2014 një kompani e lidhur me Arkady dërgoi paratë e gatshme nga Moska në llogarinë e Alliance në Barclays në Londër. Të nesërmen Barclays i dërgoi paratë shitësit në New York.

Mbyllja e llogarisë

Në prill të vitit 2016, Barclays filloi një hetim të brendshëm të llogarive të shumta që dyshonte se ishin të lidhur me Rotenbergs.

Gjashtë muaj më vonë, banka mbylli llogarinë e Advantage pasi u shqetësua se po përdorej për të qarkulluar fonde të dyshuara.

Por raportet e dyshimta të aktivitetit (SAR) të zbuluara tregojnë se llogaritë e tjera të Barclays me lidhje të dyshuara me Rotenbergs mbetën të hapura deri në vitin 2017.

Një kompani e tillë ishte Ayrton Development Limited.

Sipas dosjeve, Barclays ishte dyshues për aktivitetet e Ayrton dhe arriti në përfundimin se “[Arkady] Rotenberg është pronari i vërtetë i Ayrton”.

Barclays nuk komentoi kur u pyet nga Panorama rreth asaj se sa llogari dyshonte se ishin në pronësi të Rotenbergs.

Një zëdhënës i Barclays tha: “Ne besojmë se ne kemi respektuar të gjitha detyrimet tona ligjore dhe rregullatore, përfshirë edhe në lidhje me sanksionet e SHBA-së”.

Rotenbergs nuk pranuan të komentojnë.

Dosjet FinCen është një rrjedhje e dokumenteve sekrete të cilat zbulojnë se si bankat kryesore kanë lejuar para të pista në të gjithë botën.

Ato gjithashtu tregojnë se si Mbretëria e Bashkuar është shpesh lidhja e dobët në sistemin financiar dhe si Londra është e mbushur me para të gatshme ruse.

Dosjet u morën nga BuzzFeed News që i ndau ato me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativ (ICIJ) dhe 400 gazetarë në të gjithë botën. Panorama ka udhëhequr kërkimet për BBC.