“Shqipëria buzë greminës ekonomike, borxhi thuajse 100%”

Në një dalje për mediat nga selia e LSI, nënkryetari i saj Petrit Vasili është shprehur se ekonomia e vendit është në krizë të thellë.

Teksa publikoi shifra, Vasili deklaroi se Shqipëria është në pragun e një gremine shumë të rrezikshme me pasoja për vendin dhe çdo qytetar.

Vasili: “Ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë ka një rënie të 10.2%, rënie e paparë në 20 vitet e fundit.

Reklama e sponzorizuar

70% e bizneseve të vogla e të mesme, pra do të thotë mijëra biznese të vogla e të mesme rezultojnë me humbje, pra janë drejt dështimit, drejt falimentimit, drejt zhdukjes së tyre.

32 mijë biznese të vogla e të mesme deri tani janë mbyllur që do të thotë 1/3 e bizneseve të të gjithë vendit e bashkë me ju secili nga ju qytetarë bën llogari shumë shpejt sesa mijëra vende pune të tjera humbasin.

Ne kemi dëgjuar dje sesi kryeministri, ky mashtrues profesionist dhe i pacipë, tha se kemi vetëm 11 mijë të papunë nga pandemia. Kur ne dimë me shifra zyrtare të tatimeve, po të tyre që vetëm prej muajit të parë të izolimit e të mbyllës, pra në fund të majit ishin 66 mijë vende pune e në vijimësi situata u rëndua e mijëra biznese të tjera u mbyllën”.

Sa i përket borxhit publik, nënkryetari I LSI u shpeh se, zyrtarisht është mbi 80%, por pa llogaritur këtu edhe humbjet e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Vasili: “Borxhi publik, një peshë që po thyen kurrizin e ekonomisë shqiptare dhe po rëndon xhepin e çdo shqiptari. Vetë zyrtarisht është mbi 80%, konfirmuar edhe nga FMN. Pa llogaritur këto qindra dhe miliona para borxhe të papaguara dhe pa llogaritur këtu qindra e miliona euro të humbura nëpër arbitrazhet për shkak të mbylljes, pezullimit, shkatërrimit të kontratave në mënyrë të njëanshme për qëllime klienteliste. Të gjitha bashkë e çojnë borxhin publik afër 100%, që do të thotë një katastrofë ekonomike e pashembullt për Shqipërinë, e cila normalisht që është një vend me shpatulla të dobëta, por kjo do të thotë që ta këpusin në mes Shqipërinë dhe secilin shqiptar”.

Sipas Vasilit, mjaftojnë apelet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të gjithë institucionet ndërkombëtare, të gjitha apelet që po bën opozita për të kuptuar qartë të vërtetën nga mashtrimi./OraNews