Banorët e Hades me peticion për institucionet

Banorët e fshatit Hade ka disa vite që janë duke u përballur me procesin e shpronësimit të tokave të tyre për shkak të zhvillimeve minerare që po bëhen nga institucionet e vendit në atë pjesë, me qëllim të krijimit të minierës nëntokësore në këtë fshat.

Që nga vitet 2004-2005, fshati Hade në komunën e Obiliqit ishte shpallur si zonë me interes të veçantë ekonomik, kur edhe kishte filluar procesi i parë i zhvendosjes së një pjese të fshatit, përcjell Buletini Ekonomik.

Mirëpo, tani një pjesë e fshatit nuk është përfshirë në Raportin e fundit të Vlerësimeve dhe Varianteve të Kompensimit nga ana e KEK-ut, megjithëse banorëve iu ishte thënë në vazhdimësi se fshati do të zhvendosej në tërësi.

Reklama e sponzorizuar

Në një njoftim nga Këshilli i fshatit Hade, thuhet se banorët e këtij fshati, të cilët jetojnë në pjesën, e cila nuk përfshihet të shpronësohet/zhvendoset nuk do të pranojnë më që të bashkëpunojnë me KEK-un sh.a., sa i përket dhënies së tokave me qëllim të zhvillimit të minierës së thëngjillit.

E gjithë kjo, pasi sipas tyre Qeveria e Kosovës me vendimin nr. 09/66 të datës 18.09.2018, kishte marrë vendim që Miniera e re e thëngjillit të zhvillohet në drejtim të fshatit Sibovc, që do ta shmangte fshatin Hade (pjesën e mbetur), duke e lënë fshatin në një geto të mbyllur edhe përkundër premtimeve që fshati do të shpronësohej në tërëssi.

Banorët e kësaj ane, kanë qenë të atakuar nga këto zhvillime minerare në ato zona prej se kur kishte filluar miniera nëntokësore në Hade, si dhe prej minierës sipërfaqësore në Mirash dhe Bardh, ku një pjesë e shtëpive dhe një sasi e madhe e tokave të punueshme të banorëve të fshatit Hade, ishin marrë nga këto miniera. Problem ky që kishte vazhduar edhe pas përfundimit të Luftës së fundit në Kosovë, pas vitit 1999.

Sipas banorëve, me shterrimin e rezervave të thëngjillit në Minierën Mirash dhe Bardh, po zhvillohet miniera e re në pjesën perëndimore të fshatit Hade duke u quajtur Miniera Sibovci Jug-perëndim, e cila është duke u zhvilluar në tokat e punueshme të banorëve të këtij fshati. Shpronësimi i tokave  bujqësore dhe shtëpive të këtyre banorëve kishte filluar që nga viti 2005, kur ishte zhvendosur një pjesë e fshatit, pastaj kishte vazhduar i njëjti proces edhe gjatë viteve 2011 dhe 2017. Nga këto ndikime minerare banorët e Hades i kanë humbur pothuajse të gjitha tokat e punueshme bujqësore, nga të cilat i kanë siguruar edhe të hyrat vjetore nga bujqësia e blegtoria. Kurse tani, i njëjti fati e pret edhe pjesën qëndrore të pazhvendosur të fshatit, e cila jeton në kushte shumë të vështira, sepse pjesa ku janë shtëpitë e banorëve të fshatit është e rrethuar në tri pjesë me miniera të shkaktuara nga KEK sh.a.

“Pra, fshati tani nuk ofron kushte të mira për jetesë dhe banorët e mbetur ndjehen të errezikuar të jetojnë në shtëpi me struktura të plasaritura të shkaktuara nga veprimet minerare në afërsi të shtëpive dhe nga momenti në moment mund të ndodhë edhe ndonjë rrëshqitje masive e dheut sikurse ajo e vitit 2002, e cila ka ndodhur në Minierën e Bardhit. Duke njohur këto praktika të rrëshqitjeve të masave të dheut, në banorët e fshatit Hade (pjesa e mbetur) jemi të rrezikuar nga përsëritja e një fatkeqësie të tillë, e cila do të ishte me pasoja katastrofale për banorët e fshatit Hade”, thuhet në njoftimin e Këshillit të fshatit Hade, ku tregohen problemet e vazhdueshme të banorëve atje.

Ata thonë se janë edhe disa dokumente të nxjerra nga KEK-u, nga Qeveria e Kosovës, ministria përkatëse dhe Komuna e Obiliqit se fshati Hade do të shpronësohet në tërësi dhe se nuk do të mbetet një oazë pa perspektivë për të jetuar dhe duke u rrezikuar nga rrëshqitjet e dheut.

Prandaj, këta banorë kanë marrë vendim që nuk do të bashkëpunojnë më me KEK-un në lidhje me shpronësimin e tokave, pa iu siguruar se do të shpronësohen edhe shtëpitë e pjesë së fshatit Hade, të cilët nuk janë përfshirë në zhvillimin e minierës së re, e cila planifikohet të shkojë në drejtim të fshatit Sibovc. /Buletini Ekonomik/