Kuvendi edhe sot pritet ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të provojnë sërish gjatë ditës për të votuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Përkundër që në rend të ditës ishte vetëm zgjedhja e Avokatit të Popullit të zgjedhurit e popullit me shumicë votash vendosën që gjitha projektligjet që kanë mbetur të hapura nga seancat e kaluara të hedhen në votim sërish në seancën e sotme.

Ky propozim erdhi nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Propozojë që pas votimit të Avokatit të Popullit të përsërisim votimet që kanë mbetur hapur. Të tentojmë që çështjet që janë të hapura t’i mbyllim. Pra kërkoj që pas votimit të avokatit të popullit të hymë në votim për çështjet që kanë mbetur nga seancat e kaluara me prioritet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Ani pse u pajtua që të futen në rend të ditës këto pika, shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi iu drejtua mazhorancë që t’i kenë votat e nevojshme, e jo t’i “mundojë” ata duke mos i pasur numrat në Kuvend.

“Ne edhe atë ditë nuk kemi qenë kundër që të krijohet mundësia që deputetët të votojnë ashtu siç e ndjejnë. Pajtimi jonë për votuar sa herë që mendon grupi parlamentar që përfaqëson mazhorancën këtu edhe mund të bëjmë. Por ndoshta duhet të kërkojmë nga LDK-ja të bëjnë këtë jo për të testuar dhe provuar, e lodhur neve. Por kur i kanë votat të provojnë, po shpresoj që kësaj here i kanë votat”, tha Selimi.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së Bedri Hamza kërkoi që të votim të futen edhe projektligjet tjera që kanë mbetura të hapura.

“Nëse kthehen në votim pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara atëherë për me qenë korrekt, pasi nuk mund të themi se ky ligj është më i rëndësishmi se tjetri, pasi secili e ka rëndësinë e vet. Ne kërkojmë që gjitha pikat e papërfunduara të futen në votim”, tha ai.

Me këtë u pajtua edhe Teuta Haxhiu nga AAK.

“Edhe ne jemi të mendimit që gjitha pikat e papërfunduara të hyjnë në votim sot”, tha ajo.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike në javën e kaluar ka dështuar tri herë të votohet për shkak se koalicioni qeverisës nuk i ka pasur votat e nevojshme. Kurse dy partitë opozitare LVV dhe PDK kanë qenë të përmbajtura nga votimi për këtë projektligj./KSP