Covid 19: Këto janë masat lehtësuese që mori dje qeveria

Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin në mbledhjen e 32-të ka nxjerr vendim lidhur me masat parandaluese të pandemisë që ka shkaktuar Coronavirusi, pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sektorit të gastronomisë në Kosovë i është zgjatur orari i punës për një orë më shumë.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për masat kundër pandemisë COVID-19, subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë do duhet t’i mbyllin bizneset nga ora 23:30 deri në orën 05:00.

Reklama e sponzorizuar

Deri më tash, ato janë detyruar t’i ndalojnë veprimtaritë në orën 22:30.

Qeveria po ashtu vendosi që t’i lejojë pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe të komunave, përkatësisht teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive, ansambleve, baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve dhe qendrave të kulturës.

Këto objekte dhe institucione, që deri më tash kanë qenë të mbyllura, do të mund të shfrytëzojnë vetëm 40 për qind të hapësirës së tyre.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, institucionet shëndetësore po ashtu obligohen që t’i rikthejnë shërbimet shëndetësore në përputhje me masat për mbrojtje nga COVID-19.

Po sipas vendimit, të gjithë qytetarët e huaj, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, e që vijnë nga vendet me risk të lartë, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit të njohur si RT-PCR në Sars COV-2 se janë të shëndoshë nga COVID-19, në bazë të parimit të reciprocitetit.

Vendet me risk ta lartë përcaktohen nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Në Kosovë, ditëve të fundit, ka pasur rënie të numrit të rasteve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, krahasuar me muajt korrik dhe gusht.Të premten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar 46 raste të reja nga testimi i 664 mostrave.

Në total, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara pozitive në Kosovë është 15,379.Prej tyre, 617 pacientë kanë vdekur dhe 13,088 janë shëruar.Raste aktive aktualisht janë 1,674.