12 kilometrat e rrugës Shkup-Bllacë që largojnë Maqedoninë e Veriut me Kosovën

Shkupin dhe Prishtinën i ndajnë vetëm 90 kilometra, por për të përshkuar këtë distancë duhen të paktën një orë e gjysmë. Kjo për faj të autostradës Shkup-Bllacë, e cila është akoma rrugë magjistrale dydrejtimëshe, e dëmtuar, e ngadalshme, por edhe e rrezikshme. Pavarësisht premtimeve në çdo pragzgjedhjesh, autostrada Shkup-Bllacë prej 12 kilometrash akoma nuk duket askund.

Nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore të Maqedonisë së Veriut”, përmes një komunikimi me shkrim me Euronews Albania thanë se dy kilometrat e parë të autostradës duhet të jenë gati brenda 18 muajve. Ndërsa për pjesën tjetër, akoma po përpilohet projekti.

“Afati i parashikuar për ndërtimin e dy kilometrave të parë të autostradës është 18 muaj. Për sektorin tjetër të autostradës po përpilohet projekt nga ekspertët e Kornizës Investuese në Ballkanin Perëndimor dhe projekti bazë pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2021”, thonë nga Ndërmarrja publike “Rrugët shtetërore”

Reklama e sponzorizuar

Eksperti ekonomik, Abil Baush fajëson qeveritë e deritanishme për politikat e mbrapshta buxhetore, të cilat kanë anashkaluar investimet kapitale në infrastrukturë. Kjo, sipas tij ka penalizuar edhe qarkullimin e mallrave dhe zhvillimin ekonomik të shtetit.

“Që shteti të ketë zhvillim ekonomik, është patjetër të ketë investime kapitale. Në këtë rast investimet kapitale janë të mirëpritura në infrastrukturë. Nëse infrastruktura rregullohet dhe lidhet, në këtë rast ajo rrugore, por edhe ajo hekurudhore, atëherë do të kemi lëvizje të lirë dhe të shpejtë të mallrave, dhe do të kemi rritje të madhe ekonomike”, thotë Abil Baushi, ekspert ekonomik.

Kosova nga ana e saj ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi” deri në vendkalimin kufitar Bllacë, në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Për shtetasit dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut, vazhdimi i kësaj autostrade deri në Shkup ka rëndësi të dyfishtë, pasi përveç drejt Kosovës, ky është aksi më i shpejtë edhe drejt Shqipërisë, me lidhje në Rrugën e Kombit/abcnews.