Fermerët kërkojnë nga institucionet një vend për hudhjen e mbetjeve të qumështit

Shoqata e Fermerëve të Kosovës kanë kërkuar nga institucionet caktimin e një vendi ku mund t’i hudhin tepricat ditore të qumështit.

Përmes një komunikate, shoqata thotë se i sheh me vend kritikat e ambientalistëve rreth ndotjes së lumenjve nga derdhja e tepricave të qumështit, dje.

Fermerët sqarojnë tutje se, “për shkak të importit të pakontrolluar të vajit të palmës, sektori i qumështit ka 70,000 litra qumësh tepricë në ditë”.

Reklama e sponzorizuar

“Për shkak që ky qumësht nuk mund të shkojë tutje në përpunim, meqë kërkesa është ngopur me produkte të vajit të palmës, atëherë ne detyrohemi në asgjësimin sa më të shpejt të tij. Në këto raste nëse nuk veprohet shpejt gjithë kjo sasi e qumështit mund të shkaktojë katastrofë edhe më të rëndë mjedisore”, thuhet tutje në komunikatë.

Ata thonë se pasi institucionet të gjejnë vendin e përshtatshëm për asgjësim, teprica e qumështit nuk do të jetë problem edhe pas hyrjes në fuqi të vendimit për ndalimin e importit të vajit të palmës.

“Kërkojmë ndjesë për ndotjen e shkaktuar” ka shkruar shoqata duke thënë se janë mbi 5000 fermerë me rreth 30 mijë të punësuar të cilët janë të prekur në ekzistencë për shkak të tepricave të qumështit.