Rinovohet kanali kryesor i ujit në Kosovë

Kanë filluar punimet në rinovimin e kanalit kryesor të ujit në Kosovë – Kanalit të Ibrit, në kuadër të Projektit Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit, të financuar nga Banka Botërore.

Rinovimi do të sigurojë furnizim më të besueshëm me ujë dhe cilësi më të mirë të ujit, që do të bëjë të mundur përfitime për rreth 500,000 njerëz që jetojnë në pellgun e kanalit në Kosovën qendrore, dhe që kanali të bëhet faktor mbështetës për zhvillimin ekonomik dhe social. Kanali siguron ujë për nevojat e prodhimit të energjisë, për nevojat e minierave, industrisë, bujqësisë dhe për nevojat shtëpiake. Kosova Qendrore, përfshirë Prishtinën, varet pothuajse tërësisht nga ky kanal për të përmbushur nevojat e saj për ujë. E ndërtuar në vitin 1970, infrastruktura e kanalit është dëmtuar me kalimin e viteve.  Dëmtimet fizike dhe ndotja kanë zvogëluar kapacitetin e tranzitit nëpër kanal, si dhe kualitetin e ujit. Projekti zbatohet nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” SH.A. dhe Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës.