Mini-Schengeni forcon ndikimin e Serbisë në tregun rajonal

Mini-Schengeni do ta favorizojë Serbinë në tregun rajonal, në të cilin pranoi të futet edhe Kosova pas disa vjetësh refuzimi. Kjo është ndër pikat e marrëveshjes së arritur në Washington, për të cilën pala kosovare tha se pranoi meqë ishte kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump. Njohës të zhvillimeve thonë se Serbia do t’i marrë përfitimet kryesore, teksa kanë shtruar domosdoshmërinë që shteti të tregojë qasje më proaktive duke mbështetur ndërmarrjet prodhuese si parakusht që Kosova të jetë konkurruese me vendet e rajonit.

Arbresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se Mini-Schengeni nuk duhet të shihet si zëvendësim për Bashkimin Evropian, shkruan KOHA Ditore.

“Në parim Mini-Schengeni e favorizon Serbinë si tregun më të madh të rajonit, dhe ia jep asaj benefitin e të qenit shtet kyç në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në rajon. Për më tepër, një projekt i tillë të jep përshtypjen e zëvendësimit të rrugës evropiane të reformave me projekte regjionale, që zakonisht i bëjnë liderët për interesat e tyre të ngushta politike”, ka thënë drejtoresha ekzekutive në GLPS.

Reklama e sponzorizuar

“Për Kosovën nuk duhet lënë përshtypjen që integrimi rajonal është zëvendësim dhe kënaqje e apetitit ndaj Evropës së bashkuar”.

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë për gazetën se fuqia industriale e shteteve të Ballkanit Perëndimor është joproporcionale, prandaj Kosova dhe ndërmarrjet prodhuese duhet t’i shfrytëzojnë përparësitë unike konkurruese, si dhe mundësitë që ofrohen në tregjet e tjera, duke iu përgjigjur kërkesave të tyre.

“Marrëveshja duhet që në mënyrë të qartë të adresojë të gjitha çështjet e mundshme, përfshirë edhe ato të natyrës politike që kanë të bëjnë me njohjen reciproke të shteteve, siç është rasti ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës e Serbisë, ashtu që të shmangen barrierat që çojnë në shkelje të parimeve të marrëveshjes”, ka theksuar Zeka.

Sipas tij, secili shtet duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe rrjedhimisht të ketë edhe mundësi të barabarta.

“Në të kundërtën, ideja për një koncept të tillë të bashkëpunimit do të ishte e kotë”, ka vlerësuar ai.

Duke folur për veprimet që duhet t’i ndërmarrë shteti i Kosovës në funksion të Mini-Schengenit, sipas Zekës, është e domosdoshme një qasje më proaktive duke mbështetur menjëherë ndërmarrjet prodhuese në të gjitha format e mundshme, duke i ndihmuar ato të fuqizojnë kapacitetet dhe të rrisin përparësitë konkurruese.

“Assesi nuk duhen përsëritur mësimet e kaluara kur ne bëhemi pjesë e një aranzhimi më të gjerë të tregtisë së lirë pa adresuar nevojat dhe kufizimet e ndërmarrjeve prodhuese a shërbyese. Edhe mbi të gjitha institucionet e Kosovës duhet të tregojnë pozicion të fuqishëm negociues, ashtu që në marrëveshje të trajtohen vetëm si palë e barabartë, e për këtë nevojitet seriozitet në qasje dhe përgatitje e mirëfilltë paraprake, e kjo do të përfshijë kërkesën strikte për njohjen e të gjithë dokumentacionit shtetëror të Republikës së Kosovës, pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë lëshim për sa u përket detyrimeve kushtetuese dhe ligjore”, ka potencuar Zeka.

Pika e marrëveshjes së ashtuquajtur për normalizim ekonomik e obligon Kosovën t’i bashkohet Nismës së shpallur nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.