Pasojat nga Covid-19, Dogana dhe ATK-ja konfirmojnë se kanë rënie të të ardhurave

Si pasojë e pandemisë së Covid-19, buxheti i shtetit të Kosovës brenda gjashtë muajve ka më pak të ardhura.

Dy institucionet që kontribuojnë më së shumti në mbushjen e buxhetit të Kosovës, Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës kanë konfirmuar se nuk i kanë punët mirë me të ardhurat.

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka pritur në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të Doganës së Kosovës, Ibrahim Xhaka me bashkëpunëtorët e tij.

Reklama e sponzorizuar

Sipas njoftimit të ATK-së, deri më tani ka rënie të theksuar të pagesës së detyrimeve tatimore dhe doganore si pasojë e pandemisë Covid-19.

“Gjatë këtij takimi drejtorët e dy institucioneve kryesore të të hyrave, folën edhe për ndikimin e deritanishëm të pandemisë Covid-19 në efektshmërinë e këtyre dy institucioneve, e cila në masë të madhe ka goditur ekonomin e vendit tonë, e si rrjedhojë deri më tani ka rënie të theksuar të qarkullimit të bizneseve, si dhe pagesës së detyrimeve tatimore e doganore”, njofton ATK-ja.

Drejtorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit, si dhe koordinimin e aktiviteteve mes dy institucioneve kryesore për mbushjen e buxhetit të shtetit.

Gjatë muajit gusht ATK dhe Dogana patën treguar se brenda gjashtë muajve ka më pak të ardhura për afro 100 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kosova kishte filluar marrjen e masave për frenimin e përhapjes së Covid-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, që nga data 13 mars kur ishin raportuar rastet e para me këtë virus në vend.

Sipas buxhetit të Kosovës, i cili kap vlerën prej mbi 2 miliardë euro, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit për vitin 2020 duhet të grumbullojë mbi 1,2 miliard euro, ndërsa nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro.