Monopoli me teste për COVID-19

Në tregun e Kosovës, laboratori “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë, është i vetmi institucion privat shëndetësor ku bëhen teste virologjike me metodën PCR për COVID -19, i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Operimi i vetëm një subjekti ekonomik, çfarëdo sektori qoftë ai, krijon monopol në treg, thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, mungesa e konkurrencës, krijon hapësirë për vendosje të çmimeve sipas dëshirës.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgjegjës kryesor për krijimin e monopolit dhe mbështetjen e një biznesi të caktuar në treg janë zyrtarë të institucioneve shtetërore.

Reklama e sponzorizuar

“Kur kemi një kompani e cila është e vetme në treg, me një aktivitet apo shërbim atëherë këtu është diçka që krijon favore për një kompani dhe aty nuk mund të bisedohet për ekonomi të hapurKur e kemi një kompani apo subjekt mund të ketë manipulim qoftë më çmime, qoftë me kualitet apo me mungesë të përgjegjësisë. Por, dukuri të tilla do të na përsëriten derisa nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit”, tha Gërxhaliu.

Gjatë vikendit në Kosovë ka pasur disa ankesa të qytetarëve, se në këtë laborator privat të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për një test [PCR] për COVID-19 kanë paguar 200 euro. Ky test tregon nëse virusi është aktiv, duke analizuar strishot nga hunda dhe fyti.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çmimet për testet COVID-19 janë shumë të larta duke marrë për bazë gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Madje, këto çmime të larta po aplikohen nga laboratori në mungesë të konkurrencës së lirë.

“Në fakt, ekzistimi vetëm i një laboratori privat për të kryer PCR padyshim se do të ndikojë në çmime. Ministria e Shëndetësisë ka bërë dy gabime, fillimisht se nuk ka krijuar kapacitete më të mëdha në institucione shëndetësore publike për të kryer teste PCR. Dhe gabimi i dytë është që në kritere të licencimit nuk e ka vendosur një çmim referent me vendet e rajonit. Duke munguar këto dy gjëra, ne kemi ardhur në përfundim që laboratori çmimet i cakton sipas dëshirës se tij dhe në dëme të pacientëve,” tha Kodra.

Ministria e Shëndetësisë më 10 gusht, ka licencuar dy institucione private që do të kryejnë testime molekulare (RT-PCR), laboratorin “Medical & Laboratory Services dhe laboratorin mjekësor klinik “UBT” në Lipjan. Por, javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë i ka pezulluar vendimin për lejim të kryerjes se testeve PCR, laboratorit “UBT” sepse nuk ka pasur një pjesë të pajisjeve dhe stafin e kompletuar.

Hoti: Nuk ka monopol, laboratorët nuk po aplikojnë për licencim

Nëse ndërkohë, laboratori mjekësor klinik “UBT” i plotëson kriteret, ka mundësi të aplikojë për licencim, thotë Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Hoti në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se nuk është krijuar monopol në treg, për shkak se për teste virologjike me metodën PCR për COVID-19, në nivel vendi kanë aplikuar vetëm këto dy institucione private.

Kurse, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ministria është në proces të licencimit edhe të laboratorëve të tjerë dhe të gjithë laboratorët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e nevojshme do licencohen.

“Është kompetencë e organeve tjera të cilat i mbikëqyrin, qoftë Agjencia Kosovare e Konkurrencës, qoftë Administrata Tatimore e Kosovës. Por, ne e bëjmë punën tonë profesionale dhe kemi krijuar mundësi përtej kapaciteteve tona që të ketë testime në aspektin e laboratorëve të licencuar privat” tha Zemaj në një konferencë për media.

Ndryshe, një ndërmarrje konsiderohet të ketë pozitë dominuese nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40 për qind në treg, thuhet në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, miratuar në vitin 2010 në Kuvendin e Kosovës.

Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së tregut dhe për të ndaluar veprimet që çrregullojnë konkurrencën e lirë, në Kosovë vepron Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Zyrtarë të kësaj agjencie, gjatë tërë ditës kanë qenë të paqasshëm për Radion Evropa e Lirë.

Çmimet për teste

Pas ankesave të disa qytetarëve se për një test [PCR] për COVID-19 kanë paguar 200 euro, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke thënë se “situata e pandemisë nuk guxon të përdoret për përfitime jashtë normave të ekonomisë së tregut”.LEXONI EDHE KËTË:Hoti paralajmëron masa për laboratoret që keqpërdorin situatën e pandemisë

Pas këtij reagimi, të dielën edhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se”nëse laboratori për të cilin ka pasur ankesa ka vendosur çmimin 200 euro për testin PCR dhe ka deklaruar një çmim tjetër në AKK, ky laborator potencialisht ka bërë shkelje”.

Në laboratorin “Medical & Laboratory Services”, kanë thënë se 200 euro kushton testi i cili “detekton virusin në kohë RAPIDE (të shpejt) për 45 minuta”.

“Për shkak të realizimit të shpejtë dhe kostos së reagensave ky test në MLS kushton 200 Euro, çmim ky që është më i ulët sesa ai në vendet evropiane”, thuhet në një sqarim.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FMLSLab.Kosovo%2Fposts%2F116329930190096&width=500

Në Kosovë nuk ka ndonjë mekanizëm që mund të përcaktojë çmimet. Çmimet e produkteve dhe shërbimeve i përcakton oferta dhe kërkesa në treg.

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës deri më tani janë licencuar 118 laboratorë për kryerje të testeve serologjike dhe virologjike për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes testeve serologjike, qytetarët mund të mësojnë nëse e kanë tejkaluar koronavirusin dhe nëse kanë krijuar antitrupa kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton ky virus.

Sipas ministrisë, sa u përket shërbimeve të testimeve serologjike çmimet fillojnë prej 15-30 euro, varësisht prej institucionit ku kryhet dhe komunës.

Kurse çmimi për teste molekulare, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro”, thuhet pos tjerash në komunikatën e ministrisë.