Edukimi Financiar: Pse është më mirë t’i përdorni kartelat për pagesa?

Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Visa lansojnë fushatën informuese për rritjen e pagesave me kartela bankare në Kosovë dhe reduktimin e parasë KESH në ekonomi

Sektori bankar në Kosovë ka arritur që të ndërtoj një infrastrukturë mjaft të gjerë të pagesave e cila shtrihet në tërë Kosovën. Në këtë infrastrukturë bëjnë pjesë edhe pikat e shitjeve POS ku blerësit mund të bëjnë pagesat e tyre me kartela bankare. Duke pasur parasysh që përdorimi i kartelave bankare konsiderohet si një prej mundësive më të shpejta dhe më të sigurta për të kryer pagesat, edhe sektori bankar në Kosovë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim Shoqata e Bankave të Kosovës, me mbështetje nga bankat komerciale të Kosovës dhe Visa, ka lansuar një fushatë informuese për të sqaruar se cilat janë përfitimet e qytetarëve nëse kryejnë pagesat e tyre me kartelë bankare.

Kjo fushatë ka për qëllim të rrisë besimin në përdorimin e kartelave bankare dhe të ndikoj pozitivisht te rritja e pagesave me kartela bankare në Kosovë dhe reduktimin e parasë KESH në ekonomi. Reduktimi i përdorimit të parasë së gatshme dhe rritja e pagesave elektronike do të kontribuonte edhe në luftimin e ekonomisë informale e cila shpesh përcjellët me transaksione me KESH por edhe do të rriste konkurrencën në fushën e pagesave e që sjell përfitime të shumta për konsumatorët poashtu edhe për bizneset si dhe ekonominë në tërësi. 

Reklama e sponzorizuar

Përfitimet janë të shumta duke përfshirë ato si në vijim:

Kartela bankare ju ofron siguri dhe lehtësi në pagesat tuaja duke mundësuar edhe transaksionet pa kontakt për shuma të vogla dhe të përditshme. Në këtë kohë pandemie, kjo mundësi për të paguar pa kontakt ndikon edhe në parandalimin e shpërndarjes së virusit Covid-19.

Pagesa me kartelë bankare kursen kohën pasi që nuk keni nevojë që çdo herë të bëni tërheqje të parasë KESH në bankomat dhe të mbani KESH me vete, gjithashtu me kartelë bankare mund të bëni blerje dhe pagesa online kështu duke kursyer kohën tuaj.

Pagesat me kartelë bankare regjistrohen në raportin tuaj bankar duke mundësuar menaxhimin më të mirë të shpenzimeve dhe financave personale.

Pagesat me kartelë bankare reduktojnë përdorimin e KESH-it e që ndihmon në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe parasë së falsifikuar.

Pagesat me kartelë bankare mund të bëhen në të gjitha pajisjet POS të bankave të Kosovës, pa asnjë kosto shtesë dhe pa dallim në shumën që e paguani, kosto e transaksionit për kartelë mbajtësit është ZERO.

Fushata do të zhvillohet gjatë muajve shtator -nëntor 2020 dhe pritet të ketë ndikim pozitiv për klientët bankar, për avansimin e tregut të pagesave si dhe për ekonominë e Kosovës në tërësi.