Ministrja Haradinaj s’u jep kohë diplomatëve për kthim

Shumë nga diplomatët që do të kthehen në Prishtinë me vendim të ministres, Meliza Haradinaj, nuk e kanë në dispozicion minimumin e kohës që nevojitet për t’u përgatitur për lëshimin e misionit ku janë duke shërbyer. Haradinaj ka vendosur t’ua shpërfillë kërkesat për shtyrje të afatit të kthimit.

Nga misionet jashtë vendit, janë ftuar për t’u kthyer dhe për të shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme më shumë se 50 anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor. Mbështetur në një arsyetim që e ka dhënë ministrja Haradinaj, ata kanë përfunduar mandatin e rregullt 4-vjeçar, e disa ka më shumë se tetë vjet që pa shkëputje nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në Ministri, shkruan KOHA Ditore.

Sipas burimeve, disave prej tyre u është kërkuar të kthehen brenda gushtit, ndërsa për një numër anëtarësh që kanë lidhje me njerëz të politikës, ministrja është treguar zemërgjerë dhe u ka lënë kohë të mjaftueshme në dispozicion.

Reklama e sponzorizuar

Kjo ka nxitur pakënaqësi te një numër anëtarësh të Shërbimit të Jashtëm, që janë prekur nga vendimet e Haradinajt.

“Në praktikën diplomatike, por edhe në praktikën e deritashme tonën, është që së paku tre muaj të lihen në dispozicion për t’u përgatitur për kthimin. Është afat minimal. Kjo kohë është e nevojshme, qoftë për të shkëputur raporte kontraktuese që mund të kesh lidhur në vendin ku ndodhesh me familje, si për fëmijët në kopsht apo për çështje të tjera, e deri te takimet lamtumirëse me njerëz, me të cilët keni krijuar raporte gjatë qëndrimit në mision”, ka thënë ky burim. “Kësaj i shtohen edhe shumë probleme që për burim e kanë pandeminë”.

Adresimin e kërkesave për shtyrje të kohës së kthimit e konfirmon edhe një email, që zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shkelzen Morina, ua ka përcjellë ambasadorëve dhe shefave të misioneve që Kosova i ka jashtë vendit.