Ministria e Arsimit me tre skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës ka njoftuar se janë përcaktuar tre skenarë për organizimin e mësimit në kushte pandemie për vitin e ri shkollor në shtator.

Në një njoftim në Facebook, kjo ministri ka thënë se është në fazën e përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor. MASH-i ka thënë se organizimi është paraparë për të gjitha nivelet e arsimit.

Sipas kësaj ministrie, në skenarin e parë, atë A, është paraparë kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është paraparë kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi (mësimi online). Në skenarin C është paraparë E-mësimi.

Reklama e sponzorizuar

Në njoftim theksohet se janë duke u bërë përgatitjet edhe për shpërndarjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor.

Sot gjatë ditës, Vetëvendosje njoftoi se ka ftuar në interpelancë ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, duke e kritikuar se “s’ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor”, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës u shpreh e shqetësuar nëse Kosova është e gatshme të rikthejë mësimin në shkolla pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19 në vend.

Mësimi në Kosovë është zhvilluar online që nga muaji mars, ndërsa MASH-i ka anuluar testin e arritshmërisë për klasën e nëntë.