Ekonomia e SHBA-së shënon rënie rekorde: GDP amerikane bie për 32.9 për qind

Ekonomia amerikane pësoi rënien më të madhe të aktivitetit ndonjëherë në tremujorin e dytë, shkruan CNN.

Bruto Produkti i Brendshëm (GDP) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pësuar rënie me 32.9 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë. Ekonomistët e anketuar nga Dow Jones prisnin një rënie prej 34,7 për qind.

Sidoqoftë, është rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë dhe ajo më e afërta e ngjashme ka ndodhur në mes të vitit 1921, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Rënia e ndjeshme e konsumit personal, eksporteve, aksioneve, investimeve dhe shpenzimeve qeveritare, si dhe qeveria lokale, të gjitha kontribuuan në rënien e GDP-së.

Konsumi personal, i cili historikisht përbën rreth dy të tretat e të gjithë veprimtarisë ekonomike në Shtetet e Bashkuara, ra me një të katërtën në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa sektori i shërbimeve ra me pothuajse të njëjtën sasi.

Megjithatë, të ardhurat personale janë rritur, kryesisht falë pagesave qeveritare të lidhura me pandeminë e coronavirusit. /Telegrafi/