Zemaj i kërkon Gjergj Dedajt t’u drejtohet autoriteteve në Shkup pas vendimit për t’u kërkuar kosovarëve test për Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të kërkojë test të COVID-19 për kosovarët që kalojnë kufirin, duke thënë se ky vendim vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zemaj ka thënë se përmes ambasadorit Gjergj Dedaj ka shprehur shqetësim për këtë veprim dhe se ka kërkuar që të evitohen këto barriera.

“I kërkova ambasadorit që të adresoi tek organet kompetente nevojën e bashkëpunimit ndërshtetërorë me qëllim të tejkalimit të pandemisë dhe koordinimit të përbashkët në luftën kundër virusit korona”, ka shkruar Zemaj.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që qytetarët e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës të paraqesin test PCR negativ nëse duan të hyjnë në vend, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Në seancën e 75-të të mbajtur sot, u miratua ndryshim në vendimin për masat për parandalimin e futjes dhe përhapjes së koronavirusit, COVID-19, me të cilin qytetarëve të Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në hyrje përmes një vendkalimi kufitar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do t’u kërkohet të paraqesin një certifikatë mjekësore me rezultat negativ të testit RT PCR SARS-CoV-2, të bërë 72 orë para hyrjes në territorin e vendit tonë, dhe të paraqesin një deklaratë të plotë me të dhëna personale në lidhje me vendin dhe periudhën e qëndrimit”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive, Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 26 qershor vendosi të hapë plotësisht të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizje të pandërprerë të udhëtarëve dhe automjeteve pa test PCR dhe pa detyrim për izolim shtëpiak ose karantinë shtetërore.

Maqedonia Veriore kishte mbyllur të gjitha vendkalimet kufitare më 16 mars me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.