Në kohën e koronavirusit QKUK-së po i ikin edhe mjekët, shkak rroga

Kryeshefi i Klinikës së Anesteziologjisë, Rexhep Gjyliqi ka bërë të ditur se tre anesteziologë të stafit të kësaj klinike, e kanë lënë punën në kohë pandemie.

”Arsyja e largimit me siguri është personale, por jo që janë të pakënaqur me kolektivin”, është shprehur ai, njofton Klan Kosova.

Ai madje thotë që vitit të fundit është bërë lojë me Ligjin e Pagave, dhe sipas tij kjo nuk është e drejtë për personelin shëndetësor meqë gjenden të parët përballë pandemisë së koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

”Aty ku nuk depërton tjetërkush depërtojnë anesteziologët intenzivistë”

”Dhe të marrin pagën 600 euro është nën çdo nivel – sidomos kjo loja që është bërë me Ligjin e Pagave, me anulimin në Gjykatën Kushtetuese, kjo për ne është dëshpëruese”.

”Rrezikojmë vazhdimisht veten dhe familjen, pra arsyeja e largimit është e thjeshtë – kanë gjetur vend më të mirë të punës, që iu ofrohen kushte më të mira të punës dhe pagesë më dinjitoze”.

Sa do të jetë problematike largimi i tyre nga Klinika e Anesteziologjisë për trajtimin e pacientëve sidomos në këtë kohë pandemie?

”Sigurisht që do të jetë problem”.

”Sepse në këtë kohë anesteziologët janë të shpërndarë përreth. Qytetarët nuk sëmuren vetëm nga koronavirusi, ka raste që gjenden në sallën e urgjencëes, ka aksidente trafiku, në punë”.

”Jemi duke u ballafaquar edhe me trajtimin urgjent të rasteve të natyrave të tjera”, thotë Gjyliqi.