Thaçi: Nuk do të lejojmë që procesi të zbresë në nivel teknik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të lejohet që procesi i dialogut të zbres në nivel teknik.

Thaçi këtë e ka thënë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, të premten paradite. Sipas presidentit Thaçi për vendin dhe shoqërinë është shumë me rëndësi që bashkëpunimi i institucioneve të jetë efektiv.

“Në këtë kuadër ishte edhe takimi me kryeministrin Hoti. Është jetik që të ndodhë ky bashkëpunim mes institucioneve. Diskutuam për çështjen se si ta kalojmë sa më mirë, sa më lehtë e sa më shpejtë gjendjen me COVID-19”, ka thënë Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Është diskutuar edhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, por edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“E kam mirëpritur emërimin e Skënder Hysenit. Është me interes që të ndodhë ky dialog, sepse vetëm me dialog, takime dhe fqinjësi të mirë, Kosova mund të lëviz drejt perspektivës evropiane. Por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë identitetin tonë. Në asnjë rrethanë të mos lejojmë që ky proces të zbres në një nivel teknik”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Sipas tij, duhet të ndodhë njohja reciproke, respektimi i plotë i integritetit territorial e pastaj edhe zgjidhja e çështjeve të tjera.

Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i kënaqur që kuvendi dje ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Pres që në ditët e ardhshme kuvendi të miratojë edhe rishikimin e buxhetit. Tema tjetër që diskutuam është dialogu me Serbinë. E informova presidentin për ato që kanë ndodhur deri më tash, nga Samiti i Parisit, te videkonferenca dhe takimi në Bruksel. Ne do të sigurohemi të gjithë së bashku që dialogu të mos rrëshqas në nivel teknik. Po mundohemi që të koordinohemi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Mendoj që është një moment shumë i mirë sepse kemi vëmendje të shteteve kyçe në BE, por edhe të SHBA-së. Besoj që brenda disa muajsh mund të përmbyllet”, ka theksuar Hoti.

Presidenti Thaçi ka insistuar se me Serbinë ka vetëm çështje politike e jo teknike.