Ministria e Ekonomisë kërkon mbështetje nga britanikët për përzgjedhjen e anëtarëve në borde

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka mbajtur një diskutim virtual me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Ministri Kuçi dhe ambasadori Abbott kanë diskutuar lidhur me mbështetjen e britanikëve për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve publike, raporton Gazeta Express.

“Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott sot kanë diskutuar për mbështetjen e britanikëve në përzgjedhjen meritokratike të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike qendrore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Ambasadën britanike për pozitat e larta drejtuese më 2 korrik.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka theksuar se kjo ishte kërkesa e parë e kryeministrit Avdullah Hoti që kishte ndaj tij.

Ambasadori Abbott ishte shprehur se institucionet e Kosovës kanë nevojë për rekrutim profesional.

“Në bazë të përvojave të kaluara, rekrutimet profesionale dhe transparente vazhdojnë të mbesin sfidë për Kosovën. Inkurajoj të gjithë qytetarët të cilët kanë përgatitje profesionale dhe plotësojnë kushtet të aplikojnë” kishte thënë ai gjatë nënshkrimit të memorandumit në fillim të korrikut.