Krasniqi: Qytetarët s’mund të thërrasin numrat emergjent nëse ndalen shërbimet

Halil Krasniqi, drejtor teknik në Telekom, ka thënë se qytetarët s’mund të thërrasin numrat emergjent nëse ndalen shërbimet. 

“Nuk e kemi prit, por sot na u kanë blloku llogaritë nga Dardafon, i njohur për publikun si Z-Mobile. Është agresioni më i madh që u është bërë aseteve publike të Kosovës pas luftës. Dëmet nga ky bllokim janë të trefishta: Së pari kemi dëmet e drejtpërdrejta që Telekomi ka nga këto bllokime, që do të mos operimi nga kjo bllokadë. Ne nuk mundemi për asnjë moment, është çështje ditësh kur ne nëse vazhdon kështu, kur ne s‘kemi me mujtë me ofru shërbime jo vetëm ndaj konsumatorëve por edhe institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij kjo nuk mund të vazhdojë ndoshta as për dhjetë ditë.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse ato të hyra bllokohen, s’mundemi me e mirëmbajtë buxhetin. Kemi nevojë për përdorime të përditshme dhe dëmet nga këto janë të mëdha. Por, përveç mos mundësisë me ofru shërbime, dëmi pastaj është që e kanë partnerët. E kemi fjalën për të gjithë operatorët ekonomikë, shembull i kemi 15 milionë euro borxhe 808 kontraktorëve. Pastaj 600 mijë euro ne i paguajmë për çdo muaj Postës së Kosovës për qeranë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai ka theksuar se Posta e Kosovës bashkë me të gjitha shërbimet e veta varet direkt nga ne, nuk mund të funksionojë pa këto të hyra.

“Pastaj ne paguajmë çdo nga 500 familje që në total është një vlerë rreth 200 mijë euro janë qera të ndryshme, të antenave që i kemi aty. Pastaj ne i paguajmë 350 mijë euro në muaj TVSH shtetit, pastaj paguajmë 150 mijë euro tatim shtetit për të ardhurat e punëtorëve tanë. Këto janë dëmet që të tjerët i kanë nga bllokimi i këtyre xhirollogarive”, ka thënë ai.

E pika e tretë që është më e rëndësishmja, sipas tij, e që është dashur të trokitë në përgjegjësinë e institucioneve është se nga kjo bllokadë preket drejtpërdrejtë siguria e institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës.

“Institucionet kyçe të shtetit siç janë Policia, AKI-ja, komunat, spitalet, kemi IKSHPK-në, janë numrat e shkurtë që ne i quajmë, qytetarët s’mund të thërrasin numrat emergjent. Pikërisht për këto u kemi dërguar letra të gjithë institucioneve të shtetit. U kemi bërë me dije se nëse vazhdon për dy-tre ditë kjo bllokadë do të reflektohen direkt te qytetarët që nuk guxojnë të cenohen nga asnjë operator në vend”, ka thënë ai. “Me qeverinë nesër do të kemi takim dhe edhe me Prokurorinë e shtetit dhe atyre do të përpiqemi t’ua sqarojmë”.

Sipas tij kjo është e paprecedant.

“Ky bllokim ka ndodh veç të tjerash ka ndodhur për shkak të një kontrate që ka qenë shumë e dëmshme. Kjo kontratë është nënshkruar në vitin 2009, fillimisht është bërë në emër të liberalizimit të tregut. Është praktikë në Evropë, por nuk është praktikë me i shitë krejt resorset tua edhe me i shitë të me çmimet çfarëdo ai”, ka thënë ai.