Zemaj: Kam nënshkruar udhëzimet administrative për licencimin e laboratorëve privatë për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë nënshkruar sot dy udhëzime administrative, për Bordin e ri për licencimin e laboratorëve private për COVID-19. Ai ka shtuar se sot do të fillojnë institucionet publike të rrisin numrin e testimeve, e komuna e Prishtinës është gati.

“Sot kam nënshkruar dy udhëzime administrative. Bordin e ri për licencim për pjesën për COVID të laboratorëve privatë. Sot do të fillojnë institucionet publike të rrisin numrin e testimeve. Nevoja për debat është e domosdoshme, por nëse mendoni se duke hedhur të pavërteta ndihmoni situatën, e keni gabim”, ka thënë Zemaj.

Ai ka insistuar që të mos debatohet pa fakte. Ndërsa ka treguar se janë dërguar dy lista nga Kuvendi i Kosovës për testime dhe janë testuar ata dhe pikat e kontaktit.

Reklama e sponzorizuar

Para fjalimit të Zemajt pati një debat mes Fitore Pacollit të LVV-së dhe Besa Gaxherrit të LDK-së sa i përket favorizimit për testime. Pacolli ka akuzuar se po testohen anëtarët e LDK-së e të tjerët jo, edhe nëse janë në një institucion.

Fatmire Kollçaku e LVV-së ka thënë se është shkelje e madhe nëse dikush ka hyrë në procedurë të testohet sot dhe është paraqitur në Kuvend, pasi është shkelje e rëndë. Ajo po ashtu ka kritikuar deputetët që po i heqin maskat gjatë fjalimit.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka shpjeguar se IKSHPK-ja ka dërguar kriteret për testime dhe ato janë dërguar te grupet parlamentare. Rreth 2/3 e testuarve janë nga administrata e Kuvendit e 1/3 nga grupet parlamentare.