KMDLNj: Gjykata Speciale përcaktuese e bisedimeve Kosovë-Serbi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se të drejtat e njeriut të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, përmes një linçimi publik që ua ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar janë shkelur në kundërshtim me të gjitha të drejtat që janë rregulluar dhe mbrohen me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

KMDLNj nëpërmjet një komunikate thotë se Gjykata Speciale duhet të trajtojë të gjitha rastet e krimeve të luftës në Kosovë e që nuk janë trajtuar nga gjykatat paraprake në të kundërtën çdo vendim i saj do të konsiderohet i dyshimtë dhe vendim i një gjykate të instrumentalizuar nga politika.

Komunikata e plotë e KMDLNj-së:

Reklama e sponzorizuar

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi e mbajti dy muaj të fshehur propozim aktakuzën ndaj presidentit, Hashim Thaçi, ish- kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të PDK- së, Kadri Veseli dhe 9 të tjerëve që nuk kanë emër dhe mbiemër e që nënkupton se trajtohen vetëm si numra. Bërja publike e këtij pamfleti politiko – juridik në një kohë të paraparë për vazhdim të bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë sikur edhe përpjekja për përjashtim nga këto bisedime të Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Gjykatës Speciale në procesin e bisedimeve, me qëllim të qartë të ndikojë edhe në përmbajtjen e Marrëveshjes përfundimtare duke e dobësuar fort pozitën negociuese të Kosovës dhe duke e rehabilituar Serbinë për të gjitha krimet dhe vet njërin nga kriminelët e luftës, Aleksandar Vuçiqin.

Nuk është aspak e vështirë të parashikohet rezultati final i bisedimeve kur ata që ishin më meritorët për çlirimin dhe lirinë e Kosovës pamundësohen të jenë pjesë e marrjes së vendimeve për të ardhmen e Kosovës kurse një krimineli lufte si puna e Aleksandar Vuçiq i bëhen aq shumë favore në vend që të thirret në përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë , si shef për Agjitacion dhe Propagandë të kryekriminelit, Sllobodan Millisheviq. Bërja publike e një propozim aktakuze, pa u konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, në një kohë të ndjeshme të një procesi gjithashtu të ndjeshëm nga të gjithë njohësit e proceseve dhe rrethanave u konsiderua si presedan i rrezikshëm, veprim paragjykues me qëllim të qartë të ndërhyrjes në rezultatet finale të një procesi politik. Sidomos këtë e thanë ndërkombëtarët që edhe vet ishin më parë, pjesë e bisedimeve. Është e habitshme pse për këtë dhunim flagrant të procedurës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk reaguan fare i ashtuquajturi Ombudsperson i kësaj Gjykate apo edhe Gjykata Kushtetuese e cila edhe ex officio do të duhej të mbronin të drejtat e njeriut që keq-trajtohen nga Gjykata Speciale.

Në rastin konkret, të drejtat e njeriut të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, përmes një linçimi publik që ua ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar janë shkelur në kundërshtim me të gjitha të drejtat që janë rregulluar dhe mbrohen me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Me ndarje selektive të drejtësisë dhe me përjashtim arbitrar nga kjo e drejtë, të motivuar politikisht, të pjesës dërrmuese të viktimave, Gjykata Speciale e shkelë dhe e dhunon plotësisht parimin e universalitetit të drejtave të njeriut të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

Pas këtij linçimi publik të motivuar politikisht e që nuk ka ndodhur në asnjë rast më parë është iluzore të pritet se në një proces të mundshëm gjyqësor ndaj tyre do të ketë gjykim fer, të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen dhe nuk falen , deri sa nuk ndryshon legjislacioni i së drejtës ndërkombëtare që rregullon këtë çështje. Gjykimet dhe dënimet për krime lufte nuk mund të përdoren për barazpeshim të përgjegjësisë, për arrije të qëllimeve të caktuara të politikave ditore apo strategjike, imponimit të paqes apo pajtimit midis palëve ndërluftuese.

Këto gjykime, nëse janë të drejta e që sigurojnë drejtësi për të gjitha viktimat, pa bërë asnjë dallim sikur që e cakton përgjegjësinë në përputhje me peshën e krimeve, pas provave të administruara, gjithashtu pa bërë asnjë dallim në baza etnike e ndihmon ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e paqes e që është edhe kushti kryesor për pajtim midis palëve që luftuan. Gjykata Speciale nuk e ka këtë qëllim për faktin se ka qasje diskriminuese dhe përjashtuese ndaj viktimave, sipas përkatësisë etnike dhe në këtë mënyrë i trajton edhe ata që kanë përgjegjësi për krime lufte. Askush nuk ka të drejtë të pengojë drejtësinë për viktimat sikur edhe përgjegjësinë për ata që kanë bërë krime mirëpo, askush nuk ka, gjithashtu të drejtë të ndajë drejtësi dhe përgjegjësi sipas parimit etnik.

Gjykata Speciale duhet të trajtojë të gjitha rastet e krimeve të luftës në Kosovë e që nuk janë trajtuar nga gjykatat paraprake në të kundërtën çdo vendim i saj do të konsiderohet i dyshimt dhe vendim i një gjykate të instrumentalizuar nga politika. Gjithmonë aty ku politika ka përpiluar aktakuza dhe ku gjykatat kanë formalizuar kryesisht teknikisht një vendim të tillë, problemi është konservuar për një kohë për të shpërthyer shumë më dhunshëm pastaj. Kosova ka nevojë imediate për drejtësi për të gjitha viktimat si dhe dënimin e të gjithëve që iu dëshmohet se kanë bërë krime, pa bërë dallime, në asnjë bazë. Deri më tani Gjykata Speciale nuk e ka dëshmuar se është e gatshme ta bëjë këtë