Zgjerimi i rrugës Deçan-Gjakovë nxjerr kalldrëmin e moçëm

Besohet të jetë mbuluar me asfalt në vitet ’80, e punimet për ta zgjeruar magjistralen kanë nxjerrë në pah pjesë të rrugës së dikurshme me kalldrëm. Banorët kanë alarmuar se kubëzat po keqpërdoren edhe në prona private, e zyrtarët komunalë deklarojnë se ato do të përdoren për Kompleksin e Dëshmorëve në Carrabreg e në disa pjesë ku ka lapidare

Rregullimi i rrugës magjistrale Deçan-Gjakovë ka nxjerrë në pah shenja të vjetra. Kalldrëmi që mendohet të jetë shtruar me gurë të latuar këtu e tri dekada më parë, ishte mbuluar me asfalt. Aktualisht punimet në fshatin Carrabreg, 1.1 kilometra larg Deçanit, kanë zbuluar kalldrëm që sipas pamjeve, në disa pjesë del të jetë goxha i mirëmbajtur. Sipas zyrtarëve komunalë të Deçanit, kalldrëmi ishte mbuluar me asfalt në fund të viteve ’80. Dyshime se kubëzat po keqpërdoren kanë ngritur disa qytetarë të atjeshëm. Por sipas zyrtarëve komunalë, ato janë duke u përdorur në hapësira të tjera publike.