Pavarësisht rasteve të shumta me koronavirus, gjendja e jashtëzakonshme konsiderohet e panevojshme

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti Hashim Thaçi e nga Lidhja Demokratike e Kosovës ishte kërkuar në fund të muajit mars, kur numri i të infektuarve me COVID-19 ishte rreth 20.

Rreth katër muaj më pas, kur në vend është shënuar rekord sa i përket numrit të të infektuarve brenda një dite, ndërmarrja e një veprimi të tillë nuk është duke u konsideruar e nevojshme.

Madje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, konsideron se situata tani nuk është e krahasueshme me atë të muajit mars.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, kërkesa e bërë në mars nga presidenti dhe partneri i atëhershëm i koalicioni qeverisës ka qenë politike e nuk ka pasur të bënte me menaxhimin e pandemisë.

Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme janë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës pasi, sipas zëdhënësit të kësaj partie, Avni Bytyqi, tani është vonë për një gjë të tillë.

Shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e konsiderojnë të panevojshme edhe nga shoqëria civile.

Lidhur me këtë çështje KOHA ka provuar të marrë përgjigjeje edhe nga kryetari Isa Mustafa e ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, por ata kanë qenë të paqasshëm gjatë të martës. Përgjigje televizioni nuk ka marrë as nga Zyra e Presidentit, Hashim Thaçi, i cili një ditë më parë bëri thirrje për kujdes dhe shtoi se rreziku nga pandemia është ende i lartë.

Javën e dytë të passhfaqjes së COVID-19 në vendin tonë presidenti Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kishte propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, porse dekretin për një gjë të tillë nuk e ka dërguar asnjëherë për shqyrtim në Kuvend.