Suedia ashpërson rregullat për distancë sociale në kafene e restorante

Në Suedi kanë hyrë në fuqi rregullat me të cilat kërkohet së paku një metër distancë mes grupeve të klientëve në kafene, bare dhe restorante.

Më herët, Agjencia e Shëndetit Publik nuk kishte caktuar distancë të saktë, ndonëse lokalet inkurajoheshin t’i nxisnin klientët për distancë sociale dhe t’i shmangnin tollovitë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet suedeze janë kritikuar për dhënie të këshillave jo të qëndrueshme për distancën sociale. Disa lokale tashmë janë duke zbatuar këshilla të ndryshme nga shërbimi informues për kujdes shëndetësor, ndërsa disa të tjera janë akuzuar se nuk kanë bërë mjaftueshëm për t’i mbajtur klientët larg njëri-tjetrit.

Reklama e sponzorizuar

Nga e marta, autoritetet tash kanë të drejtë që t’i mbyllin lokalet që nuk e zbatojnë masën për një metër distancë.

Më parë, inspektorët shëndetësorë kanë kryer kontrolle në qytetet kryesore dhe kanë kërkuar nga rreth 40 lokale që të mbyllen përkohësisht për shkak të shqetësimeve rreth numrit të madh të klientëve dhe rreziqeve të tjera për përhapjen e infeksionit.

Suedia është dalluar për masat e lehta kundër përhapjes së pandemisë, ndryshe nga shumica e vendeve në Evropë, të cilat kanë marrë masa më të ashpra.