OKB: Bota po i trajton simptomat, jo shkakun e pandemisë

0
47

Shkatërrimi i vazhdueshëm i natyrës do të çojë në bartjen e shumë sëmundjeve të kafshëve tek njerëzit, thotë Raporti.

Fermat industriale të kafshëve, posaçërisht të derrave dhe pulave, shfaqin njërin nga rreziqet kryesore që në të ardhmen të kemi vërshimin e sëmundjeve që vijnë nga kafshët, të ashtuquajturat sëmundjet zoonotike, thonë ekspertët.

Bota është duke trajtuar simptomat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë së koronavirusit, por jo edhe shkakun i cili po vjen nga problemet mjedisore, sipas autorëve të një Raporti të OKB-së. Si rezultat, mund të pritet një numër në rritje i sëmundjeve që kapërcejnë nga kafshët tek njerëzit në vitet që vijnë, thonë ata.

Reklama e sponzorizuar

“Numri i epidemive të tilla “zoonotike” po rritet, nga Ebola në Sars deri të virusi i Nilit Perëndimor dhe ethet e Luginës Rift, dhe shkaku kryesor është shkatërrimi i natyrës nga njerëzit dhe rritja e kërkesës për mish”, thuhet në Raport.

Edhe para Covid-19, nga sëmundjet zoonotike kanë vdekur 2 milionë njerëz çdo vit, kryesisht në vendet më të varfra. Shpërthimi i koronavirusit ishte paraparë qartë, thanë ekspertët.

“Covid-19 mund të jetë më i keqi, por nuk është i pari”, tha shefja për çështjet e mjedisit në OKB, Inger Andersen.

Kafshët e egra dhe gjedhet janë burim i shumicës së viruseve që po infektojnë njerëzit, dhe ky raport citon disa shkaqe për shpërthime të tilla, përfshirë kërkesën në rritje për proteinat e kafshëve, mbajtja dhe rritja intensive dhe industriale e kafshëve, keqpërdorimi i natyrës dhe kafshëve të egra, udhëtimi global në rritje, si dhe kriza klimatike.

Ky raport është paralajmërimi i fundit e i drejtpërdrejtë që qeveritë duhet të adresojnë shkatërrimin e natyrës për të parandaluar pandemitë e së ardhmes. Në qershor, një ekonomist eminent së bashku me OKB-në thanë se pandemia e koronavirusit ishte një “sinjal SOS për të gjithë njerëzimin”, gjersa në prill, ekspertët kryesorë të biodiversitetit në botë thanë se do të ndodhin edhe shpërthime tjera të sëmundjeve nëse nuk mbrohet natyra.

“Në zemër të përgjigjes sonë ndaj pandemive dhe sfidave tjera me të cilat përballet njerëzimi, duhet të jetë ideja e thjeshtë që shëndeti i njerëzimit varet nga shëndeti i planetit dhe shëndeti i gjallesave tjera”, tha Andersen. “Nëse njerëzimi ia jep natyrës mundësinë që të merr frymë, ajo do të jetë aleatja jonë më e madhja, gjersa përpiqemi të ndërtojmë një botë më të gjelbër, më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë”.