Ky është plani i bankave të famshme botërore, për rikthimin e stafit në zyrë – gjatë pandemisë

Para se vala e parë e stafit të kthehej në selinë e kompanisë Credit Suisse këtë muaj, banka ua ofroi tre teste falas të antitrupave në mënyrë që punonjësit të kishin “shkallë më të madhe sigurie”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, derisa Credit Suisse, po shqyrton zgjerimin e programit të tij globalisht, Goldman Sachs dhe UBS kanë vendosur të veprojnë ndryshe, pasi njerëzit që mund të rezultojnë pozitivë mund të tregohen të pakujdesshëm.

Ndërkohë, banka të tjera të mëdha si JPmorgan Chase, Morgan Stanley, Bank of America dhe Citigroup, ende nuk kanë marrë ndonjë vendim të prerë.

Reklama e sponzorizuar

Dhe sipas Financial Times, Credit Suisse, është ndoshta në një pozitë më të përshtatshme për ofrimin e këtyre testeve – kompania farmaceutike e Zvicrës, Roche, prodhon një nga vetëm tre testet që konsiderohen të besueshme.

Kjo qasje divergjente gjerësisht në testimin e antitrupave është vetëm një shembull i mënyrave të ndryshme, që bankat po merren me detyrën e tyre për të rikthyer personelin në zyra – nga Londra në New York, Frankfurt dhe Paris.

Në një seri intervistash me Financial Times, drejtuesit përshkruajnë strategji të ndryshme, për sa i përket transferimit të personelit në zyrë, e deri tek furnizimi i pajisjeve mbrojtëse personale – dhe menaxhimi i punonjësve në objekt.

Përdorimi i ashensorëve në mënyrë të sigurt ka rezultuar me një problem, veçanërisht shqetësues brenda ndërtesës, ndërsa menaxherët presin që punonjësit e tyre të ndjehen të sigurt gjatë qarkullimit ditor.

“Kjo do të shkaktojë një ndryshim në atë se si të gjitha organizatat i ofrojnë siguritë në punë”, tha Charlie Netherton, kreu i shërbimeve të klientëve për Mbretërinë e Bashkuar.

“Askush nuk ishte përgatitur për një tronditje kaq të madhe”, u shpreh ai.

Bankat gjithashtu kanë këndvështrime shumë të ndryshme mbi implikimet afatgjate në jetën e punës pasi të përfundojë bllokimi.

Një ekzekutiv i lartë foli me entuziazëm, për kursimin e 100 milionë dollarëve ose më shumë në vit, nga shpenzimet e udhëtimeve.

Ai tha se udhëtimet ndërkombëtare për takime të brendshme, mund të zhdukeshin të gjitha, tani që njerëzit po komunikonin përmes video-konferencave.

Megjithatë, punonjësit e Wall Street, janë më pak optimistë për uljen e shpenzimeve, pasi kursimet mund të kompensohen nga shpenzimet e reja, siç janë pagesa e kostove të punonjësve që punojnë në shtëpi, furnizimi i tyre me pajisje mbrojtëse dhe kostot e tjera të larta brenda objektit të kompanisë.

Në londër shumë banka filluan fazën e parë të planeve të tyre më 15 qershor, kur qeveria mori vendim për hapjen e bizneseve jo thelbësore.

Kompania HSBC e cila u kthye përsëri në normalitet në Hong Kong dhe Shanghai i tha stafit në Mbretërinë e Bashkuar se do të fillojë ripopullimin e ndërtesës së 45-katëshe nga 1 korriku.

Për tre muajt e parë, ajo pret që vetëm 10-20 për qind e tyre ta ruajnë distancën. Ata që punojnë në katin e tregtisë do të jenë të parët që do të kthehen.

Kompania britanike Lloyds, do të mbajë vetëm 10 për qind të personelit të tyre, në dy zyrat e kompanisë në Londër – kjo pritet kryesisht të funksionojë deri në shtator.

Ndërkohë, kompania UBS po kthen në punë punonjësit që merren me tregtinë, disa menaxherë dhe punëtorë të tjerë, ndërsa pjesa e tjetër do e vazhdojë punën nga shtëpia, deri në një afat të pacaktuar.

UBS duket se e ka menxhuar më së miri punën e përdorimit të ashensorëve, pasi stafi kishte kaluar në një ndërtesë 12 katëshe. Tregtarërt do të ndahen në ekipe në katin e dytë dhe të tretë.

Ndërkaq “Barclays” pritet të ketë rreth 200 personel të tjerë në ndërtesën e tij 32-katëshe, Canary Wharf, gjatë tre javëve të ardhshme.

Njëjtë sikurse kompania paraprake, Morgan Stanely, pret gjithashtu të rrisë personelin e Mbretërisë së Bashkuar, dhe t’i sistemojë punonjësit në ndërtesën 12 katëshe.

Bankat në New York, gjithashtu po përballen me vështirësi, derisa përpiqen të rimbushin objektet e tyre të larta.

JPMorgan dhe Goldman filluan rritjen e numri të punonjësve që nga e hëna, megjithëse departamentet e mëparshme thanë që përveç agjentëve të shitjeve dhe atyre të tregtisë nuk do të kthehen në zyrat e tyre në New York, deri të paktën më 13 korrik.

Ndërkaq, Citigroup, BofA dhe Deutsche Bank do të sjellin stafin e tyre më vonë gjatë verës.

Shumica e bankave do t’u ofrojnë punonjësve të tyre bartjen e maskave, ndërsa kompania JPMorgan tha qe maskat do të jenë të përshtatshme për punë.

BofA i ka thënë stafit se mund të punësojë operatorë të ashensorëve – si njerëzit e vetëm që do të lejohen t’i prekin butonat – për t’u siguruar që distanca të respektohet dhe që ashensorët të ndahen me efikasitet në selinë 52-katëshe.

Goldman do të rikthejë një ekip të caktuar, ndërsa BofA dhe Citigroup do të kenë lista të personave të autorizuar në objekt, për një numër të caktuar kohor.

Veç këtyre, siç thuhet në shkrimin e Financial Times, shumica e bankave do ta aplikojnë përdorimin e maskave në disa zona të caktuara të objekteve.

Megjithëse ata shprehen të sigurt që punonjësit do ta respektojnë distancën, menaxherët janë të brengosur për vazhdën e operimit të tyre në objekte.

Kompania BoFA ndërkohë, do i mbulojë shpenzimet për udhëtimet e punëtorëve, duke aranzhuar kompanitë Lyft dhe Uber, në mënyrë që ata të shmangin transportin publik.

Credit Suisse pret që një numër i madh i stafit të udhëtojnë me makinat e tyre, pasi zyrat e tyre kanë parking të mjaftueshëm. Goldman, që ka rritur nivelin e stafit që nga mesi i qershorit, ka pasur një rritje të numrit të punonjësve që ngasin biçikleta.

Vlen të ceket që shumica prej kompanive i thanë stafit të tyre se kthimi në zyrë do të jetë në mënyrë vullnetare, dhe disa që dëshirojnë mund të punojnë nga shtëpia.

Madje Matt Sinott, tha se në të ardhmen, ne do të kemi nevojë për më pak ndërtesa dhe lloje të ndryshme të hapësirave, ndërkaq një ekzekutiv zviceran tha se puna nga shtëpia gjeneron prodhimtari më të lartë. /Telegrafi/