Dështon dialogu në SHBA, Hoti anulon pjesëmarrjen

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin me palën serbe i paraparë të mbahet në Uashington më 27 qershor.

Takimi ishte thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Arsye për anulimin e vizitës, sipas Hotit, është situata e krijuar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i aktakuzës të paraqitur nga Prokuroria e Specializuar, unë duhet të kthehem në vendin tim për t’u marrë me situatën. E njoftova Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti në Twitter.

Vendimi i Hotit, pason atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e anuloi pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit.

Edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington.

“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter. Megjithatë ai tha më 24 qershor se mirëpret në Uashington, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.