Autoritetit të Aviacionit Civil një person për tu trajnuar jashtë vendit i kushton 900 euro

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka miratuar Raportin vjetor financiar të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2019, me 7 vota për dhe një abstenim.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, Xhelil Bekteshi deklaroi se 95 për qind është shpenzuar buxheti i planifikuar.

Ai potencoi se punojnë në objekt me qera ku shpenzimet vjetore arrijnë në 42 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Mbi 921 mijë shpenzime buxhetore të autoritetit. 95% u shpenzua buxheti i planifikuar, 33 punonjës të autoritetit. Ne kemi të hyrat e dedikuara. Jemi në objekt me qera, shpenzimet vjetore janë 42 mijë euro. Kemi kërkuar të kemi një objekt më tërë për qera”, tha ai.

Sa i përket çështjes së mbikëqyrjes së hapësirës ajrore, Bekteshi tha se është marrëveshje e KFOR-it.

“Është çështje politike, është marrëveshje e KFOR-it me shtetin hungarez. Qëndrojnë miliona të inkasuar nga Kosova. Aviacioni nuk ka një shkollim në vend. Kemi pasur vizita para Komisionit Evropian, janë trajnime të inspektorëve që bëhen në aeroport nëse ato nuk mbahen ato humben. Kemi të dhënat për secilin person të planifikuar”, shtoi ai.

Zyrtarja financiare nga Autoriteti i Aviacionit Civil, Shqipe Selishta theksoi se për një trajnim jashtë vendit një person shpenzon mbi 900 euro.

“Kosto e trajnimit që mbahen jashtë 25 staf për një person mbi 900 euro. Akomodim, bileta dhe ushqim. 51% janë trajnime që paguhen edhe shpenzime tjera. Është një donacion mbi 5 mijë euro nga BE-ja”.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi pyeti për të hyrat për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Kosovës.

“Është një shumë e madhe që po humbin për shkak të lejimit të mbikëqyrjes së Hungarisë për hapësirë të lartë ajrore”, pyeti ai.

Kryetari i komisionit nga VV-ja, Hekuran Murati u interesua se përse është rritur buxheti për mallrat dhe shërbimet.

Po ashtu pyeti ai se përse kosto e buxhetit është kaq i shtrenjtë për trajnime jashtë vendit, raporton EO.

“Për çfarë udhëtime bëhet fjalë, është një shumë e madhe, pse është kështu, 230 mijë euro pastaj ka pasur rritje pra është bërë kjo”.