Gashi kritikon opozitën: Me mosvotim ia humbni Kosovës milionat

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, ka kritikuar partitë opozitare për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare.

Ai tha se shumica nga marrëveshjet janë negociuar gjatë kohës kur Bedri Hamza i PDK-se ka qenë ministër i Financave ose Besnik Bislimi i LVV-së.

Sa i përket kritikave që opozita ka pasur se të njëjtat marrëveshje LDK sa kishte qenë në opozitë nuk i ka votuar, Gashi tha se opozita e tanishme dëshiron të sillet me keq sesa që ata po thonë që sjell LDK.

Reklama e sponzorizuar

“Janë marrëveshje që janë në interes të Kosovës dhe ju na thoni a jeni të interesuar që marrëveshjet që janë në interes të Kosovës të votohen apo jo. Nëse këto marrëveshje duhet të votohen apo nuk duhet të votohen. Po e sjelli në një prizëm tjetër, po e prezumojmë sikur ne jemi sjell ashtu siç pretendon opozita sot, po e marrim se ne paskemi gabuar, a po doni me gabua edhe ju. Marrëveshjet që i keni negociuar vet, marrëveshjet që i keni sponsorizua vet. Pra, ju po thoni ne kemi gabuar mandatin e kaluar, qe po e marrim që kemi gabuar, ju çka po bëni tash, po doni me gabua. Ne kulmin e krizës ekonomike dhe pandemisë ju zotëri të nderuar po ia mohoni Kosovës të marrë qindra miliona euro që t’i fus në ekonomi si marrëveshje ndërkombëtare kredi të butë 25 vjeçare me interes 1.25 përqind. Në kulmin e pandemisë, në kulmin e krizës ekonomike thoni se ju paskit bë kështu para dy viteve dhe ne do të sillemi edhe më keq sesa ju jeni sjell”, tha ai.

Ai ka ftuar opozitën që ka negociuar me këto marrëveshje që të thirrin seancë dhe LDK do t’i votojë të njëjtat.