Thaçi: Takimi në Washington mundësi për nisjen e procesit shumë të rëndë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar si proces tepër të vështirë dhe të rëndë rinisjen e dialogut me Serbinë. Duke folur pak ditë para takimit në Washington, ai ka thënë se takimi i paralajmëruar për 27 qershor është kthesë historike dhe mundësi e papërsëritshme për të filluar procesin “tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes”.

Në një konferencë për media, Thaçi ka thënë se “nga Washingtoni gjithmonë kanë ardhur lajme të mira për Kosovën dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.

“Në Washington shkojmë me parime të qëndrueshme. Takimin e paralajmëruar e konsiderojmë kthesë historike dhe mundësi të papërsëritshme për të filluar procesin tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes. Delegacioni i Kosovës shkon i përgatitur për të përfaqësuar denjësisht dhe me dinjitet interesat e Kosovës. Njësoj sikur në të kaluarën, Kosova është në anën e drejtë të historisë. Vendi ynë është i bekuar me përkrahjen e SHBA-së. Ne i hapim rrugë njohjes reciproke, vendosjes së marrëdhënieve ndërshtetërore e hapjes së rrugës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Prandaj kam besim të plotë se edhe takimi në Washington do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se “Kosova shkon në Washington me flamurin shtetëror që është integriteti territorial i Republikës së Kosovës”.

“Çdo paragjykim apo spekulim është i panevojshëm. Delegacioni i Kosovës u ftua në Shtëpinë e Bardhë, ku zë fill liria dhe pavarësia e shtetit tonë dhe për këtë qëllim SHBA-ja gëzon respektin e palëkundur të institucioneve të Kosovës”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e thirrur në Washington do të ndihet mirë afër kryeministrit Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se në këtë takim do të flasin me një zë, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Thaçi ka thënë se përgjegjësitë janë të sqaruara dhe janë në përputhshmëri me Kushtetutën e vendit.

“Ne do të flasim me një zë, do të respektojmë vullnetin e qytetarëve. Do të kemi koordinim të mirë ndërinstitucional, konsultat janë duke vazhduar.

Përgjegjësitë janë shumë të qarta në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, do të punojmë ngushtë që të kemi koordinim. Unë do ndihem mire që do të jem pranë kryeministrit Hoti”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se handikepi i BE-së në këtë proces, është mosliberalizimi i vizave për Kosovën.

“BE-ja në këtë proces do të hyjë me një handikep shumë të madh me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, sido që të jetë ne do të punojmë që të jemi të suksesshëm në samitin e Parisit. BE dhe Lajçak duhet të jenë më shumë të fokusuar në substancën që ata prezantojnë sesa të jenë të shqetësuar për takimin në SHBA”, ka thënë ai.

Ditë më parë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka konfirmuar se ka ftuar palët për një takim më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.