Për dy dreka zyrtare u paguan rreth 17 mijë euro nga Qeveria Haradinaj

Për dy dreka zyrtare gjatë vitit 2019, janë paguar rreth 17 mijë euro nga Zyra e Kryeministrit, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, në të dy pagesat e testuara për dreka zyrtare, njëra në vlerë 8,400 euro, dhe tjetra në vlerë 8,750 euro, përveç faturave me mbishkrimet se shpenzimet kishin të bënin me rastin e organizimit të pritjeve/koktejeve të caktuara, nuk kishte raport pranimi, e as listë të pjesëmarrësve apo axhendë të bashkangjitur të ngjarjeve.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i neglizhencës së kabinetit në arsyetimin e shpenzimeve dhe komunikimit jo efektiv mes kabinetit dhe zyrës së financave. Shpenzimet për dreka zyrtare, pa siguruar dëshmitë e mjaftueshme për qëllimin dhe shfrytëzuesit e shërbimeve, rritë rrezikun që paratë publike të shfrytëzohen për qëllime jo zyrtare. Sekretari i Përgjithshëm, në bashkëpunim me kabinetin e Kryeministrit, duhet të siguroj se faturat e pranuara për dreka zyrtare nga kabineti, të arsyetohen me dëshmi të mjaftueshme, duke përfshirë raportin e pranimit, agjendën e takimit, dhe faturën, me çka arsyetohet se shpenzimet janë bërë për/nga personat e autorizuar dhe për qëllime zyrtare. Në të kundërtën, pagesat e tilla duhet të ndërpriten”, thuhet në raportin e Auditorit për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2019. /Buletini Ekonomik/

Reklama e sponzorizuar