Auditori: Zyra e Kryeministrit ndau rreth 30 mijë euro subvencione për renovim të shtëpive pa ndonjë vlerësim

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin vjetor të auditimit për Zyrën e Kryeministrit. Në këtë raport tregohet se si ishin ndarë gati 30 mijë euro subvencione për persona fizik, në mungesë të vlerësimit nga një komision vlerësues.

Në raportin e Auditorit thuhet se në gjashtë raste të testuara, në vlerë 28,550€, ku përfitues të subvencioneve nga Zyra e Kryeministrit ishin personat fizik, mjetet ishin ndarë në mungesë të vlerësimit nga një komision vlerësues, por vetëm duke u bazuar në kërkesën individuale drejtuar zyrës për komunitete.

Subvencionet kishin të bënin me ndihmë financiare për renovim të shtëpisë, megjithatë sipas ZKA’së nuk arsyetonin mjaftueshëm nevojën për ndihmën e kërkuar.

Reklama e sponzorizuar

“Më tutje, këto kërkesa ishin dërguar për aprovim në kabinetin e Kryeministrit nga drejtori i ZÇK-së, dhe të njejtat ishin aprovuar përmes vendimeve të Kryeministrit, për ndarjen e mjeteve ndaj këtyre përfituesve. Kërkesat e parashtruara, nuk ishin bërë përmes formularit të aplikimit, siç kërkohet në këtë program, pasi formulari nuk ishte i publikuar nga ZÇK në faqen zyrtare”, thuhet në raport.

Sipas ZKA’së, mungesa e procesit të vlerësimit nga komisioni vlerësues në ndarjen e subvencioneve ndaj personave fizik, rrezikon transparencën në procedurat e vendimmarrjes, mundësinë e ndarjes së mjeteve personave jo meritor, dhe pa një qëllim të qartë të ndarjes së fondeve.

Ky institucion rekomandon që sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i ZÇK-së, të sigurojnë se për çdo proces të ndarjes së subvencioneve ndaj personave fizik, të formohet komisioni i vlerësimit i cili do të bëjë vlerësimin e kërkesave bazuar në dëshmi të mjaftueshme për arsyetimin e dhënies së ndihmës dhe në rast të ndryshimit të përbërjes së komisionit, kjo të bëhet përmes vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm. /Express/