Albin Kurti për takimin Kosovë- Serbi në Uashington: Ngjan me një takim njëditor ku servohen marrëveshjet

Kryetari i VV-së, Albin Kurti ka reaguar pas njoftimit se me 27 qershor në Washington do të takohet delegacioni kosovar dhe ai serb për vazhdimin e dialogut.

Kurti thekson se rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë si në formë ashtu edhe në përmbajtje.

Ai thotë tutje që të jetë e kënaqur Serbia u formua edhe qeveria “Koti” e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe raporton Gazeta Blic.

Reklama e sponzorizuar

Postimi i plotë:

Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin.

Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.)

Në fakt, më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet.

Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti.