“Armata politike” e Qeverisë Hoti

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, mund të mbledh rreth vetës hiq më pak se 34 këshilltarë. Kjo mundësi atij i është dhënë me Rregulloren e re për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e cila është miratuar me 6 qershor nga Qeveria. Bazuar në këtë rregullore, shefi i Qeverisë mund t’i ketë 15 këshilltarë politikë, 10 këshilltarë të jashtëm dhe nga një këshilltar prej nëntë komuniteteve pakicë, shkruan AktivPress.

Pos me këshilltarë politikë e të jashtëm, kabineti i Hotit mund të zgjerohet edhe me 15 nëpunës të tjerë, mandati i të cilëve është i ndërlidhur me mandatin e tij. Pra kur pushon mandati i kryeministrit, pushon edhe mandati i tyre. Marrë në tërësi, i gjithë stafi i Zyrës së Hotit, mund të arrijë në 49 veta.

Pas kryeministrit vijnë katër zëvendëskryeministrat, njëri prej të cilëve e kryen funksionin edhe të ministrit. Secili prej tyre mund t’i angazhojë nga 10 këshilltarë politikë dhe nga 5 këshilltarë të jashtëm. Po ashtu, ata mund të punësojnë edhe nga 6 nëpunës, që e qon numrin e përgjithshëm tëtë angazhuarve rreth tyre në 84 veta.

Reklama e sponzorizuar

Në kategorinë e tretë hyjnë 15 ministrat, nga 16 sa janë gjithësej, meqë siç u tha më lartë, njëri nga ta është edhe zv.kryeministër.

Me rregullore, secili nga ta mund t’i ketë nga 6 këshilltarë politikë dhe nga tre këshilltarë të jashtëm. Në total, numri i këshilltarëve të të gjithë ministrave mund të arrijë në 140.

Por, siç shkruan AktivPress, kjo nuk është e gjitha!

Edhe ministrat kanë të drejtë të angazhojnë nga katër nëpunës. Kështu vetëm numri i nëpunësve në zyrat ministrore mund të shkojë në 60. Përgjithësisht, stafi në 15 zyrat e ministrave mund të arrijë në 200 persona.

Në kategorinë e fundit janë zëvendësministrat. Tash për tash nuk dihet se nga sa zëvendësministra do t’i ketë secila ministri, por ajo që dihet është se me Rregullore nuk është paraparë që ata të kenë këshilltarë politikë, e as të jashtëm.

Zëvendësministrat mund të emërojnë vetëm deri në dy nëpunës në kabinet. Nëse për secilën ministri do të ketë së paku dy zëvendësministra, atëherë numri i nëpunësve të angazhuar në kabinetet e tyre do të arrijë në 32.

Me një përllogaritje të thjeshtë, numri i këshilltarëve politikë, atyre të jashtëm dhe i nëpunësve të angazhuar në zyrën e kryeministrit, zv.kryeministrave, ministrave dhe zv.ministrave mund të arrijë në 365 veta.

Numri i madh i këshilltarëve, megjithatë nuk paraqet ndonjë veçanti për Qeverinë Hoti.

I njëjtë ka qenë numri i tyre edhe me Rregulloren e miratuar në QeverinëKurti, sikundër edhe në atë Haradinaj. Dallimi ka qenë vetëm se në Qeverinë Kurti ka pas më pak poste qeveritare, krahasuar me  Qeverinë Haradinaj e cila ka pasur numër më të madh të ministrave dhe numër enorm të zëvendësministrave. /AktivPress/