Pagesat e subvencionimit të qirave për biznese, do të kryhen pas rishikimit të buxhetit

Në Pakon Emergjente që Qeveria e kaluar kishte paraparë, ishte edhe subvencionimi për qiratë e bizneseve private për të cilën ishte paraparë që 50 për qind e pagesës të kryhej nga kjo ministri, vlerë kjo që kapë shumën prej 12 milionë eurove.

Për këtë, Agim Krasniqi nga Ministria e Financave në një intervistë për Front Online tha se deri më tani është kryer pagesa vetëm për një pjesë të vogël, ndërsa pjesa tjetër e pagesës, sipas tij pritet të paguhet pas rishikimit të buxhetit.

Zyrtari nga kjo ministri pohoi se edhe gjatë procedurës së aplikimit, komisioni për verifikimin e këtyre rasteve, kishte hasur në shumë parregullsi.

Reklama e sponzorizuar

“Është paguar vetëm një pjesë shumë e vogël, por pjesa tjetër e madhe do të paguhet besoj pas rishikimit. Edhe me komision e kemi qartësuar saktësisht. Aty komisioni ka paraqitur shumë informata të gabuara. Dikush ka vendosë shifra gabim, në vend që me e vendos shifrën e qirasë, e ka vendosë numrin personal. Dikush ka vendos numra 10 fish më të mëdhenj në krahasim me atë që është paguar. Ajo që ne e kemi biseduar me komisionin është që ata me u përgatit. Në momentin që kryhet procesi i rishikimit, hapi i parë ka me qenë që me u paguar të gjitha qiratë mbi bazën e deklarimit që e kanë bërë në ATK në tatimin për qiranë”, deklaroi Krasniqi.