16 mijë e 905 teste të koronavirusit janë kryer deri më sot në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se nga 8 shkurti në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 16.905 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.263 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, ndërsa deri më sot janë shëruar gjithsej 912 raste.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve kontaktojnë dhe mbikëqyrin të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome

Ndryshe, një ditë më parë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 231 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren dhe me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 29 raste.

Reklama e sponzorizuar

Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 15 raste (sipas vendbanimit: 12 raste Vushtrri, 2 raste Stanovc i epërm dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prizrenit 4 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren dhe 1 rast Tupec), komuna e Prishtinës 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prishtinë), komuna e Fushë Kosovës 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Miradi e poshtme dhe 1 rast Fushë Kosovë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Milloshevë-Obiliq, Mamushë, Mitrovicë dhe Rahovec.

Ndërsa, po dje janë shëruar 22 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 912 raste.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 08 qershor 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 7.136.744 raste të COVID-19 dhe 407.068 raste të vdekjes.

Ndryshe, IKSHPK-ja ka bërë thirrje të respektohen masat dhe rekomandimet, në mënyrë që të mos rrezikohet shpërthimi i vatrave të reja epidemike në disa komuna të Kosovës nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve”, thuhet në njoftim.