Spitalet pritet t’i kthehen punës si para pandemisë

Të gjitha shërbimet shëndetësore që janë kryer para se të shpallet pandemia e COVID-19 do të kthehen përsëri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë mjekë në këtë qendër dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Këta zyrtarë kanë thënë se kjo tashmë është çështje ditësh, mirëpo nuk kanë treguar ndonjë datë të saktë.

Basri Sejdiu, drejtor gjeneral i QKUK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo qendër prej fillimit të pandemisë është duke punuar me kujdestari të mjekëve dhe jo me kapacitete të plota.

Reklama e sponzorizuar

Ai u shpreh se tashmë është duke u shqyrtuar mundësia e rifillimit të punës me orar të plotë.

“Janë duke punuar komisioni i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë për të parë se kur do të fillojmë të punojmë me kapacitet të plotë. Ndryshe, shërbimi për pacientët nga lista e pritjes është ndërprerë, ndërkaq rastet urgjente janë punuar vazhdimisht”, tha Sejdiu.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se tashmë ka filluar hartimi i planit të rikthimit të shërbimeve të plota shëndetësore. Por, ai nuk dha ndonjë datë se kur do të ndodhë kjo, ndonëse tha se është çështje ditësh.

Vendimi për mos të trajtuar rastet jo emergjente erdhi në muajin mars nga Ministria e Shëndetësisë, për ta ruajtur stafin mjekësor, por edhe pacientët nga infektimet eventuale me koronavirusin e ri.

“Sapo të jenë kryer detajet e këtij plani që synon rikthimin e shërbimeve duke siguruar personelin dhe pacientët, do të nisin edhe ato shërbime që kanë qenë të shtyra për një kohë, derisa shërbimet vitale kanë funksionuar gjatë gjithë kohës. Është çështje ditësh zbatimi i këtij plani”, tha Hoti.

Cili rast është urgjent e cili jo?

Mosofrimi i shërbimeve në të gjitha nivelet ka rritur ankesat e pacientëve

Sipas kryetarit të Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, situata e muajve të fundit ka krijuar shumë paqartësi sepse shpeshherë nuk është ditur nëse pacienti është rast urgjent ose jo.

“Pacientët me sulm në tru për shembull, e që janë raste urgjente, janë detyruar të rrinë deri në 16 orë në klinikën emergjente. Kjo për shkak se klinika përkatëse, në këtë rast ajo e neurologjisë nuk i ka pranuar pa ua bërë rezultatet e testit për Covid19. Rezultatet dalin pas shumë orësh, e që kjo për një pacient të tillë është shumë e rrezikshme,” tha Kodra për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kodrës, situatë e njëjtë ka qenë edhe në spitale rajonale ku ka pasur ankesa nga pacientët se nuk kanë marrë shërbime shëndetësore.

Valbon Krasniqi, infektolog në Qendrën Klinike Universitare, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë pacientët me COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi) janë trajtuar aty, por për sigurinë e pacientëve me sëmundje të tjera infektive, ata janë dërguar në klinika tjera.

“Sa i përket sëmundjeve infektive, ata që kanë pasur nevojë për hospitalizim, jemi marrë vesh me klinika tjera, dhe i kemi bartur pacientët në ato klinika. Si për shembull, pacientë me meningjit ose inflamaciontë membranave që mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore, i kemi dërguar në Klinikë Neurologjike, dhe i kemi përcjellë bashkë me mjekët atje nëse ka pasur nevojë për diçka pacienti”, tha Krasniqi.

Mjekët thonë se Klinika Emergjente në QKUK ka qenë vendi që ka pranuar fluksin më të madh të pacientëve, pasi që ajo ka qenë dera e parë ku ata janë drejtuar.