Ministri i Financave, Besnik Bislimi, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit për mandatarin e qeverisë, ka thënë se i njëjti është përgatitur nga juristët e Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar përmes këtij vendimi u konstatua që Kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me parimet bazë dhe frymën e shprehur në dekretin e presidentit.
“Ekipi i juristëve i zyrës së presidentit të vendit, përmes një njoftimi të postuar në faqen e internetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më datën 28 maj, konstatoi që kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me parimet bazë dhe frymën e shprehur në dekretin e presidentit të vendit të datës 30 prill, që e nominon z. Hoti si mandatarë për formimin e qeverisë së re”, ka shkruar ai.
Bislimi thotë se ky dokument është draftuar pak orë para publikimit të dekretit të presidentit të vendit në pasditen e 30 prillit.
“Menjëherë pas publikimit të dokumentit, presidenti i vendit përmes një konference për media iu falënderua gjykatës kushtetuese për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndër vite”, ka shkruar ai.