Abrashi: Ulja ekonomike deri në 12 për qind, mund të jetë fatale për Kosovën

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, thotë se rënia ekonomike si pasojë e koronavirusit në Kosovë mund të shkojë deri në 12 përqind.

Ai deklaroi se në bazë të të dhënave të Bankës Botërore ulja prej 12 për qind për një buxhet siç e ka Kosova është problem shumë i madh.

“Informatën që e ka dhënë Banka Botërore është shumë pesimiste, ne presim rënie ekonomike deri në 12 për qind, i cili në shikim të parë kur shihet kjo përqindje nuk është shumë i madh atë sesi ka qenë. Në tre muajt e parë kemi qenë të bllokuar, por kjo 12 përqindje për një buxhet relativisht të varfër çfarë e kemi pasur është një problem shumë i madh, i cili nëse nuk i paraprihet me masa të reja ekonomike, mundet me qenë edhe katastrofal”.

Reklama e sponzorizuar

“Problemi më i madh, të cilën unë e parashoh është që Kosova ka pasur tradicionalisht të hyra serioze prej remitencave, të cilët fatkeqësisht edhe ata janë të prekur nga pandemia. Prej remitencave, ekonomia e Kosovës ka pasur benefite të mëdha, sidomos ndërtimtaria ka qenë dega kryesore i ka dhënë një revolucion të madh. Pra shumica e ndërtesave afro 70 për qind plasohet te njerëzit që punojnë jashtë shtetit”, tha ai.

Teksa ka folur për masat emergjente që ka ndërmarrë Qeveria në detyrë, Abrashi thotë se as 50 përqind e tyre nuk iu gëzuan këtyre mjeteve.

“Masa emergjente që e ka proklamuar Qeveria, fatkeqësisht nuk është realizuar ashtu siç është premtuar. Premtimi ka qenë që do të jepen në ekonomi afro 170 milionë euro, 50 për qind të kësaj mase është ekzekutuar, pjesa tjetër është politizuar e që sot e kësaj dite ata që kanë dhënë premtime nuk e kanë mbajtur premtimin”.

Deputeti i AAK-së, tha se masat e mara nga Qeveria në detyrë pas pandemisë së koronavirusit nuk janë të mjaftueshme dhe se zbatimi i tyre po shkon shumë ngadalë.

“Ne kemi dalë me një ide para një muaji, sidomos unë e kam proklamuar me pompozitet këtë ide, duke marrë parasysh që emergjencë nënkupton diçka që duhet të ndodh urgjent. Një kohë të gjatë, Qeveria në largim i ka detyruar punëtorët e sektorit civil të qëndrojnë në shtëpi dhe ua ka paguar pagat, ndërsa sektori privat e ka privua me u marr me aktivitete ekonomike”.

“Gjatë tërë kësaj kohe askush nuk është marrë me masa emergjente. Nëse dikën e ke detyruar të qëndrojë në shtëpi. Ne e kemi dhënë propozimin në të cilën secili qytetarë t’iu dhurojmë nga 100 euro, e cila kur është analizuar në tërësi, ka qenë 500 euro për familje dhe e cila në një mënyrë e obligon qytetarin të qëndrojë në shtëpi por në të njëjtën kohë ia siguron një ekzistencë minimale”, tha Abrashi në një intervistë për Ekonomia Online.