BQK-ja dhe Ministria e Financave shprehen të gatshme për rimëkëmbjen ekonomike

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ministrit në detyrë të Ekonomisë dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot u organizua një takim i përbashkët me drejtuesit e bankave komerciale në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e COVID-19 dhe plani i rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti vlerësoi lart konstruktivitetin e treguar nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe, duke iu përgjigjur pozitivisht nevojave të ekonomisë përmes lehtësimeve që ju kanë bërë huamarrësve, përcjell ksp.

Reklama e sponzorizuar

Ai shprehu bindjen se sektori bankar do të luajë një rol kyç gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike duke shërbyer si partner i besueshëm i institucioneve, në përpjekjet për të ndihmuar rikuperimin dhe zhvillimin e mëtejmë ekonomik të vendit.

Vlerësim të lartë për punën e sektorit bankar gjatë kësaj periudhe shprehu edhe ministri Bislimi, i cili së bashku me zëvendësministrin Ilir Aliu prezantuan para drejtuesve të bankave planin për rimëkëmbje ekonomike, i cili po përgatitet nga një grup punues që përfshin përfaqësues të Qeverisë, BQK-së dhe bizneseve.

Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët.