Rreth 30 për qind e studentëve të UP-së nuk e ndjekin mësimin online

Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina"

Rreth 30 për qind e studentëve të Universitetit të Prishtinës nuk janë duke ndjekur mësimin online. Sipas përfaqësuesve të UP-së, bëhet fjalë për studentë pasivë të cilët nuk i ndjekin ligjëratat edhe kur mësimi mbahet në fakultete.

Mirëpo anëtarë të Parlamentit Studentor thonë se mosndjekja e mësimit nga të gjithë studentët ka të bëjë edhe me mungesën e kushteve apo pajisjeve teknike të një pjese të tyre. Rektorati nuk ka të dhëna të sakta për numrin e studentëve që në mungesë të kushteve nuk po e vazhdojnë mësimin, shkruan KOHA.

Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyqi, në një përgjigje me shkrim ka thënë se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë faktor kyç që ka pamundësuar pjesëmarrjen e studentëve në mësim. Ai ka theksuar se në bazë të informatave që i kanë marrë nga stafi akademik, numri i studentëve pjesëmarrës në ligjërata virtuale është më i madh sesa në ligjëratat e mbajtura në mënyrë fizike.

Reklama e sponzorizuar

“Ju informojmë se që nga lansimi i mësimit virtual, në Universitetin e Prishtinës janë mbajtur mbi 65 mijë ligjërata, shifër që dëshmon interesim dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme të stafit dhe të studentëve në mësim virtual. Një numër i studentëve janë pasivë, andaj nga matjet e përafërta që kemi janë rreth 30% të studentëve të cilët nuk i ndjekin ligjëratat”, ka thënë Bytyqi.

Në bazë të raportimit të dekanëve, sipas tij, mësimi po zhvillohet në të gjitha njësitë akademike, derisa ka thënë se sfidë kryesore po e kanë realizimin e mësimit praktik.