Vendet e BE-së, Zvicra, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar reagojnë që Qeveria s’i lejoi 20 mjekë të hyjnë nga Serbia

Edhe pse nga Serbia vazhdimisht gjatë pandemisë kanë hyrë ekipe të mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë ofruar ndihmë në zonat e banuara me serbë, bashkësia ndërkombëtare po proteston fuqishëm për ndalimin që iu bë 20 mjekëve javën e kaluar.

Zyra e BE’së në Kosovë së bashku me udhëheqës të misioneve të BE’së dhe ambasadorë të shteteve tjera në një deklaratë të përbashkët kanë reaguar pasi qeveria nuk lejoi personelin mjekësor nga Serbia të hyjë në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se rrjedha e lirë rajonale e personelit mjekësor është thelbësore në këtë krizë.

Reklama e sponzorizuar

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që prioritet të kenë shëndetin e qytetarëve dhe të mirëpresin të gjitha mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që kanë për qëllim shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e popullatës nga pandemia. Rrjedha e lirë rajonale e furnizimeve dhe personelit mjekësor është thelbësore për suksesin e kësaj përpjekje”, thuhet në deklaratë

Ata kanë thënë se do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën.


“Udhëheqësja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Udhëheqësit e Misioneve të BE-së, Ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Udhëheqësi për Kosovën i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe Menaxheri i Vendit i Bankës Botërore janë përkrah popullit të Kosovës në këto kohë sfiduese, dhe jemi të vendosur të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën që ta tejkalojë këtë krizë”, thuhet në deklaratë.

Tutje, Zyra e BE’së dhe ambasadorët kanë thënë se e vlerësojnë menaxhimin me pandeminë Covid-19 të qeverisë në detyrë.

“E vlerësojnë menaxhimin efektiv deri më tani të krizës së Covid-19 nga qeveria në detyrë dhe populli i Kosovës. Tani ka rëndësi madhore që rregullat e vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e virusit të respektohen nga të gjithë”, thuhet tutje.

Ata kanë bërë thirrje edhe njëherë që udhëheqësit politikë të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe t’i lënë mënjanë dallimet.

Po ashtu në këtë deklaratë thuhet se bashkërisht duhet të diskutohen sfidat për krizën ekonomike.

“Për më tepër, besojmë se në këto kohë të pasigurisë së madhe, të gjithë aktorët duhet t’i lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve. I mirëpresim të gjitha mundësitë për t’i diskutuar bashkërisht, në instancat e duhura institucionale, masat e nevojshme për kalimin e sfidës së Covid-19, përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE-në, shtetet e saj anëtare, Institucionet Financiare Ndërkombëtare, si edhe masat kombëtare për të adresuar krizën shëndetësore dhe ekonomike”, thuhet në deklaratë.